Gazetare: Fatlume Dervishi

“Freedom House” konsideron Maqedoninë si vend pjesërisht të lirë. Vendi ka marrë vlerësimin me 67 pikë nga gjithsej 100 pikë maksimale. Nuk është bërë asnjë lëvizje pozitive në krahasim me vitin e kaluar.

“Qeveria vazhdon të përballet me korrupsionin dhe klientelizmin. Ndërsa media dhe shoqëria civile marrin pjesë në një diskurs publik të fuqishëm, gazetarët dhe aktivistët ende përballen me presion dhe kërcënime”, thuhet në raportin e “Freedom House”.

“Freedom house” vlerëson me dy pikë, nga gjithsej katër, fuqinë dhe efikasitetin e legjislaturës kundër korrupsionit të lartë në vend. Qeveria vlerësohet po ashtu me dy pikë, nga gjithsej katër, sa i takon transparencës. Liria dhe pavarësia e mediave vlerësohet me tre nga gjithsej katër pikë. Pavarësinë e gjyqësorit gjithashtu e vlerësojnë me dy nga gjithsej katër pikë. Sa u takon zgjedhjeve të fundit, citohet OSBE-ja duke vlerësuar procesin si konkurrues, të qetë dhe të organizuar por theksohen edhe akuzat për blerje votash.

Liria globale shënoi rënie për të 20-tin vit radhazi në vitin 2025. Sipas raportit të “Freedom house”, në gjithsej 54 vende kishte regres në të drejtat e tyre politike dhe liritë civile gjatë vitit, ndërsa vetëm 35 vende regjistruan përmirësime. Guinea-Bissau, Tanzania, Burkina Faso, Madagaskari dhe El Salvadori patën rënien më të madhe të rezultateve njëvjeçare, ndërsa Siria, Sri Lanka, Bolivia dhe Gaboni regjistruan rritjet më të mëdha. Tre vende, Bolivia, Fixhi dhe Malavi u përmirësuan nga statusi Pjesërisht i Lirë në statusin e Lirë falë zgjedhjeve konkurruese, rritjes së pavarësisë gjyqësore dhe forcimit të sundimit të ligjit.

Nga kategoria e vendeve të lira, Shtetet e Bashkuara, Bullgaria dhe Italia kanë përjetuar rëniet më të mëdha të vitit.

“Në Shtetet e Bashkuara, një përshkallëzim si mosfunksionimi legjislativ ashtu edhe i dominimi i ekzekutivit, presioni në rritje mbi lirinë e shprehjes dhe lëvizjet e administratës së re për të minuar mbrojtjet kundër korrupsionit, kontribuuan në ndryshimin negativ të rezultatit”, thuhet në raportin e “Freedom House”.

Në Ballkanin Perëndimor situata mbetet e pandryshuar. Pjesërisht të lira janë Mali i Zi (69), Shqipëria (68), Kosova (60), Serbia (56) dhe Bosnja dhe Hercegovina (52). Në këtë raport flitet për vonesën e formimit të qeverisë në Kosovë duke e vlerësuar negativisht në aspektin e demokracisë. / Alsat.mk.

The post “Freedom House” konsideron Maqedoninë si vend pjesërisht të lirë appeared first on Alsat.