Besart Kelmendi, i njohur për publikun si Gjesti, është liruar nga paraburgimi pas një vendimi të fundit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Gjykata ka nxjerrë të enjten aktvendimin për ndërprerjen e masës së paraburgimit ndaj artistit, më shumë se një javë pasi ai ishte ndaluar nën dyshimet për incidentin pranë kompanisë “Onima”.

Sipas vendimit, Gjesti do të mbrohet në liri, ndërsa ankesa eventuale nuk e shtyn ekzekutimin e këtij vendimi, çka do të thotë se lirimi i tij hyn në fuqi menjëherë.

Lajmi është konfirmuar edhe nga avokati i tij, Artan Qerkini, i cili bashkë me avokatin Burim Azemi kanë përfaqësuar këngëtarin gjatë kësaj periudhe.

Mbrojtja ka argumentuar se, bazuar në nenin 159 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, i cili lidhet me parimin e proporcionalitetit në caktimin e masave të sigurisë, paraburgimi ndaj artistit nuk ka qenë i arsyeshëm dhe proporcional në raport me rrethanat e rastit.

Ndërkohë, rasti ndaj Gjestit pritet të vazhdojë në procedurë të rregullt, tashmë me të në gjendje të lirë.