Italia, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Holanda dhe Japonia kanë dalë në një deklaratë të përbashkët mbi mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, ku shprehin edhe synimin e tyre për ta rihapur atë. Ndër të tjera, në deklaratën e publikuar nga Coriere della Sera, theksohet se liria e lundrimit është një parim themelor i së drejtës ndërkombëtare, përfshirë Konventën e OKB-së mbi të Drejtën e Detit.
Deklarata e plotë:
“Ne dënojmë me forcën më të madhe sulmet e fundit të kryera nga Irani kundër anijeve tregtare të paarmatosura në Gjirin Persik, sulmet ndaj infrastrukturave civile, përfshirë impiantet e naftës dhe gazit, si dhe mbylljen de facto të Ngushticës së Hormuzit nga forcat iraniane.
Shprehim shqetësimin tonë të thellë për përshkallëzimin e konfliktit. I bëjmë thirrje Iranit të ndalojë menjëherë kërcënimet, vendosjen e minave, sulmet me dronë dhe raketa dhe çdo përpjekje tjetër për të bllokuar Ngushticën për lundrimin tregtar, si dhe të respektojë rezolutën 2817 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Liria e lundrimit është një parim themelor i së drejtës ndërkombëtare, përfshirë Konventën e OKB-së mbi të Drejtën e Detit.
Efektet e veprimeve të Iranit do të ndihen nga njerëzit në çdo pjesë të botës, veçanërisht tek më të cenueshmit.
Në përputhje me rezolutën 2817 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, theksojmë se ndërhyrjet e tilla në lundrimin ndërkombëtar dhe ndërprerja e zinxhirëve globalë të furnizimit me energji përbëjnë një kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Në këtë kuadër, kërkojmë një moratorium global të menjëhershëm mbi sulmet ndaj infrastrukturave civile, përfshirë impiantet e naftës dhe gazit.
Shprehim gatishmërinë tonë për të kontribuar në përpjekjet e duhura për të garantuar kalimin e sigurt përmes Ngushticës. Përshëndesim angazhimin e vendeve që po kryejnë planifikimin përgatitor.
Përshëndesim vendimin e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë për të autorizuar një lëshim të koordinuar të rezervave strategjike të naftës. Do të marrim masa të tjera për të stabilizuar tregjet e energjisë, përfshirë bashkëpunimin me disa vende prodhuese për të rritur prodhimin.
Do të angazhohemi gjithashtu të ofrojmë mbështetje për vendet më të prekura, edhe përmes Kombeve të Bashkuara dhe institucioneve financiare ndërkombëtare.
Siguria detare dhe liria e lundrimit janë në dobi të të gjitha vendeve. I ftojmë të gjitha shtetet të respektojnë të drejtën ndërkombëtare”.
