Xhamia historike “Mustafa Pasha” në zemër të Shkupit mblodhi besimtarët në agun e ditës për të falur namazin e mëngjesit dhe atë të Fitër Bajramit.

Mesazhe për paqe, solidaritet dhe përgjegjësi njerëzore në një kohë kur bota përballet me tensione dhe konflikte të shumta u përcollën gjatë hutbes nga Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai.

Në këtë kontekst, ai paralajmëroi për rreziqet që i kanosen njerëzimit nga luftërat, dhuna dhe padrejtësitë, duke bërë thirrje për shmangien e konflikteve, masakrave dhe gjenocideve dhe për forcimin e kulturës së paqes.

“Me ndjenjën e urisë dhe etjes ne i bëmë thirrje botës për më shumë kujdes ndaj njeriut. Paqja që kultivuam gjatë Ramazanit dëshmoi se njerëzimi duhet të jetë i përkushtuar ndaj respektimit të vlerave njerëzore, duke shmangur vrasjet, diskriminimin, luftërat, masakrat dhe gjenocidet”, theksoi Shaqir Fetai – kryetar i Bashkësisë Fetare Islame.

Fetai bëri thirrje po ashtu edhe për luftën ndaj anomalive që rrezikojnë jetën e shoqërisë dhe të rinisë, si alkoolizmi, prostitucioni, narkomania, korrupsioni dhe dukuri të tjera që dëmtojnë njeriun.

“Sot presim shpërblimet e Tij të pakufishme për agjërimin tonë, për lutjet tona të sinqerta, për ibadetet tona dhe për sakrificat që kemi bërë gjatë muajit të Ramazanit. Fitër Bajrami është një ditë pajtimi dhe afrimi. Është dita kur duhet të hapim zemrat tona, të falim njëri-tjetrin dhe të forcojmë lidhjet familjare dhe shoqërore”, pohoi Shaqir Fetai – kryetar i Bashkësisë Fetare Islame .

Të pranishëm në këtë manifestim qendror të organizuar nga Bashkësia Fetare Islame ishin edhe Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi dhe zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali.