Në Shtetet e Bashkuara është miratuar prodhimi i një monedhe prej ari 24 karat me imazhin e presidentit Donald Trump, e cila pritet të dalë në qarkullim më 4 korrik, në kuadër të 250-vjetorit të pavarësisë së SHBA-së.

Vendimi u mor nga Komisioni Federal i Arteve të Bukura, pas një prezantimi nga United States Mint, agjencia përgjegjëse për prodhimin e monedhave amerikane. Dizajni i monedhës u miratua njëzëri, megjithëse u ngritën pikëpyetje lidhur me përputhshmërinë e tij me ligjin federal.

Sipas ligjit amerikan, në monedha nuk lejohet të paraqitet një president që është ende gjallë. Megjithatë, projekti po avancon në bazë të autoritetit të Sekretarit të Thesarit, Scott Bessent, i cili ka kompetenca për të miratuar emetimin e monedhave përkujtimore të arit.

Zyrtarët kanë bërë të ditur se monedha mund të ketë përmasa të mëdha, deri në 7.6 centimetra në diametër. Deri më tani, i vetmi president amerikan i paraqitur në një monedhë gjatë kohës që ishte ende në jetë ka qenë Calvin Coolidge.