Gazetar: Angel Dimovski

Rritja e pritshme e inflacionit, si rezultat i shtrenjtimit të derivateve të naftës, transportit dhe produkteve të tjera, mund të sjellë edhe rritje të normës bazë të interesit të kredive, paralajmërojnë ekspertët. Ekonomisti Bujamin Bela, thotë se rritja e inflacionit zakonisht çon drejt rritjes së normave të interesit, pasi kjo është një nga mjetet kryesore që përdorin bankat qendrore për ta kontrolluar atë. Si pasojë, kreditë bëhen më të shtrenjta për qytetarët dhe kompanitë. Bela propozon pako masash që mund të ndihmojnë në parandalimin e kësaj rritje.

“Parandalimi i rritjes së normës së interesit nga institucionet shtetërore paraqet strukturë disi më komplekse të përzierjes së mekanizmave të politikës fiskale dhe monetare, por gjithmonë duhet pasur parasysh se çdo masë që ndërmerr shteti duhet të jetë afatgjatë dhe më e qëndrueshme, sepse mund të krijojë probleme të natyrave të ndryshme që lidhen me rritjen e normave të interesit. Ne nuk mund të parashikojmë sa do të zgjasë kriza në aspektin e energjisë, rritjes së çmimeve dhe inflacionit, prandaj shteti dhe banka qendrore duhet të përdorin mekanizma të caktuar gradualisht, më ngadalë, duke ndjekur trendet, veçanërisht zinxhirin e furnizimit, kufizimin e parave në qarkullim, uljen e barrierave për import. Ndonjëherë duhen edhe subvencione të targetuara, jo të përgjithshme”, deklaroi Bujamin Bela, ekonomist.

Nga Banka Popullore thonë se ekonomia jonë mund të ndiejë efekte, por është herët për vlerësime më të sakta.

“Si ekonomi e vogël dhe e hapur, ekonomia jonë mund të ndiejë disa efekte, parasegjithash përmes çmimeve të energjisë dhe përmes mjedisit ekonomik të jashtëm. Sa i përket ndryshimeve në politikën monetare, vendimet do të varen nga zhvillimet në dy pika të rëndësishme, e ato janë tregu i devizave dhe inflacioni”, thanë nga Banka Popullore.

• Ekonomia jonë mund të ndiejë disa efekte
• Sa i përket ndryshimeve në politikën monetare, vendimet do të varen nga tregu i devizave dhe inflacioni

Një nga strategjitë më të rëndësishme në këtë drejtim, sipas ekspertëve, është investimi në bujqësi dhe industri, sepse kjo është investim afatgjatë dhe më i qëndrueshëm, krijimi i produkteve dhe shërbimeve vendore për të ulur varësinë nga shtetet e tjera dhe nga importi i produkteve bazë nga jashtë. / Alsat.mk.

The post Çmimet e larta të derivateve dhe inflacioni mund të shtrenjtojnë koston e kredive appeared first on Alsat.