Gazetar: Suad Bajrami
Avokati i Popullit e ka mbyllur lëndën për dhënien e provimit të jurisprudencës në shqip, ndërsa Alsat ka siguruar dokumentin me të cilin i rekomandon Qeverisë që nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, të nis procedurë për ndryshimin e ligjeve për provimin e jurisprudencës, noterisë dhe përmbaruesit, me qëllim që të pranohet kërkesa e studentëve shqiptarë. Avokati i Popullit Faton Selami thekson për Alsat që kërkesa e studentëve është plotësisht legjitime dhe mbështetet në parimin kushtetues të barazisë dhe jodiskriminimit.
“Kjo është në përputhje të plotë dhe në një lidhje konsekuente logjike me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve i cili është në fuqi dhe mendoj se nuk ekziston asnjë lloj pengese juridike, kjo çështje të precizohet dhe të mos ketë në të ardhmen, paqartësi dhe probleme praktike në implementim”, deklaroi Faton Selami, Avokat i Popullit.
Lidhur me pretendimin e ministrit të Drejtësisë që është e detyrueshme njohja e gjuhës maqedonase për çdonjërin që dëshiron të bëhet gjykatës, prokuror, avokat, noter apo përmbarues, Selami thotë se ajo mund të zgjidhet me procedurë të veçantë dhe se nuk është arsye për t’u penguar dhënia e provimit të jurisprudencës në shqip.
“Pikërisht, dhënia e provimit të jurisprudencës në vetvete nuk nënkupton punësim të drejtpërdrejtë apo i menjëhershëm. Pra, verifikimi i njohurive të gjuhës maqedonase, mund të bëhet në procedurë të veçantë gjatë aplikimit për ndonjë vend konkret të punës ku punëdhënësi mund të kërkojë edhe njohjen e gjuhës maqedonase”, shtoi Selami, Avokat i Popullit.
Për iniciativën e Avokatit të Popullit, Qeveria obligohet që të përgjigjet për hapat që do t’i ndërmarrë në afat prej një muaji. Selami ka pritje pozitive nga ekzekutivi, ndërsa apelon që çështja të trajtohet me seriozitet.
Çështja ka shkaktuar përplasje politike, pasi studentët i kërkuan ministrit të Drejtësisë Igor Fillkov që provimin ta japin në shqip, ndërsa ai kategorikisht refuzon duke u arsyetuar se këtë nuk e lejon ligji. Ndërkohë që pushteti ka paralajmëruar zgjidhje, opozitarja BDI gjatë javës dorëzoi në Kuvend një Rezolutë për Zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në provimin e jurisprudencës. / Alsat.mk.
The post Jurisprudenca: Avokati i Popullit kërkon ndryshime ligjore appeared first on Alsat.
