Organizata për Energji Bërthamore e Iranit njoftoi se ndërtesa për pasurimin e uraniumit në Natanz, e njohur si Kompleksi i Pasurimit “Martiri Ahmadi-Roshan”, është sulmuar sërish nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli. Megjithatë, nuk është raportuar për rrjedhje të materialeve radioaktive. Kjo është të paktën hera e dytë që objekti i Natanzit është shënjestruar gjatë luftës në vazhdim SHBA–Izrael me Iranin.
Nga ana tjetër presidenti amerikan, Donald Trump, po e shqyrton “uljen” e intensitetit të luftës në Lindjen e Mesme, pavarësisht raportimeve në rritje se mijëra trupa tokësore amerikane janë nisur drejt rajonit, teksa lufta me Iranin hyn në javën e katërt.
“Ne po i afrohemi shumë arritjes së objektivave tanë, teksa po e shqyrtojmë uljen e përpjekjeve tona ushtarake në Lindjen e Mesme sa i përket regjimit terrorist të Iranit”, shkroi Trump në Truth Social.
Në postimi e tij, ai listoi qëllimet kryesore të SHBA-së në këtë luftë, përfshirë degradimin e ushtrisë së Iranit dhe parandalimin që Teherani të zhvillojë një armë bërthamore.
Trump po ashtu sugjeroi se do të jetë në duart e shteteve të tjera që përdorin Ngushticën e Hormuzit të sigurojnë lundrimin e anijeve në këtë rrugë jetike ujore dhe të ndihmojnë në frenimin e rritjes së çmimeve të naftës, që po kërcënojnë që të tronditin ekonominë botërore.
“Ngushtica e Hormuzit do të duhet të ruhet dhe të mbikëqyret, sipas nevojës, nga shtete të tjera që e përdorin, SHBA-ja nuk e përdor. Nëse kërkohet, ne do t’i ndihmojmë këto shtete në përpjekjet e tyre në Hormuz, por kjo nuk do të duhej të ishte e nevojshme pasi të eliminohet kërcënimi i Iranit. E rëndësishmja është se do të jetë operacion i lehtë ushtarak për ta”, shtoi presidenti Trump.
Irani ka deklaruar se do t’u lejojë anijeve japoneze të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, në një shenjë të fundit se Teherani ka nisur të ndjekë një bllokadë selektive të kësaj rruge ujore strategjike.
“Nuk e kemi mbyllur ngushticën. Sipas nesh, ajo është e hapur. Është e mbyllur vetëm për anijet që u përkasin armiqve tanë, vendeve që na sulmojnë. Për vendet e tjera, anijet mund të kalojnë,” tha ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, për Kyodo News të Japonisë.
Forcat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit kishin paralajmëruar në ditët e para të luftës se do të “digjnin” çdo anije që do të përpiqej të kalonte, duke e çuar trafikun detar pothuajse në ndalim. Megjithatë, gjatë javës së fundit, Irani ka zbutur retorikën, duke deklaruar se ngushtica është e mbyllur vetëm për armiqtë e tij. Japonia mund të bashkohet së shpejti me një grup të vogël vendesh, kryesisht Kina, India dhe Pakistani, anijet e të cilave janë lejuar të kalojnë ditët e fundit me miratimin e autoriteteve iraniane. / Alsat.mk.
The post Kompleksi i Pasurimit “Martiri Ahmadi-Roshan”, është sulmuar sërish nga SHBA-të dhe Izraeli appeared first on Alsat.
