Benzina dhe dizeli në vend pritet të shtrenjtohen ndjeshëm që nga dita e hënë, pas rritjes së çmimeve në bursat ndërkombëtare të naftës. Qeveria thotë se po e ndjek situatën dhe nesër do të vendoset për masat që do të ndërmerren që tronditja ndaj çmimeve të jetë sa më e butë!

“Çmimet në bursat ndërkombëtare të naftës u rritën, gjë që pritet të reflektohet edhe më tej në çmimin vendas të karburanteve. Edhe pse vendi paguan benzinën më të lirë krahasuar me rajonin, pritet që të hënën të ketë një rritje shtesë të çmimit të dizelit dhe benzinës. Qeveria ndjek vazhdimisht gjendjen dhe nesër në orën 12 do të marrë masa të jashtëzakonshme për të luftuar çmimet e larta të benzinës. Do të merren masa me të cilat do të lehtësohet tronditja e çmimeve”, thotë Qeveria.

Para se kjo të kumtohej nga Qeveria, opozitarja LSDM edhe sot doli me kritika të ashpra se edhe pas tre javësh rritje të çmimeve të karburanteve, qeveria nuk po ndërmerr asgjë! Spirala e rritjes së çmimeve të ushqimeve ka filluar, thonë nga LSDM.

“Në markete kanë nisur rritjet, vaji për gatim është mbi 100 denarë, vezët mbi 300 denarë, perimet dhe frutat mbi 100 denarë për kilogram, produktet bazë po bëhen luksoz. Parashikohet edhe një rritje e re e çmimeve të karburanteve. Edhe nëse çmimet në bursat botërore stabilizohen, çmimet në markete nuk do të ulen. Këto rritje janë një goditje e fuqishme për standardin e qytetarëve. Pse qeveria nuk ndërmerr asgjë? A po pret që të rritet varfëria, që njerëzit të mos kenë për bukë, të mos mund të ushqehen?”, thotë Simona Cvetanoski.

Socialdemokratët kërkojnë që Qeveria urgjentisht të pranojë masat e propozuara prej tyre, e që janë ulje e TVSH-së për karburantet nga 18% në 5%, ulje e akcizës për 4 denarë për litër, heqja e TVSH-së për produktet ushqimore bazë dhe përgjysmimi i çmimeve të pagesave rrugore.