Gazetare: Ajnur Bafqari
Agjencia e ushqimit dhe veterinarisë ndaloi importin e 27 tonëve ushqim të pasigurt që ishte destinuar për tregun vendor. Bëhet fjalë për mish të bluar gjedhi që ishte nisur nga Paraguai, ndërsa u ndalua në pikën kufitare Qafthanë.
“Sasitë që duhej të importoheshin dhe të përfundojnë në tregun e Maqedonisë, kishin prejardhje nga një subjekt që nuk është miratuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, me çka nuk janë përmbushur standardet bazë të sigurisë për import, respektivisht ekzistojnë dyshime për sigurinë shëndetësore të mishit, që paraqet rrezik për konsumatorët”, deklaruan nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.
• Mishi kishte prejardhje nga një subjekt që nuk është miratuar nga Agjencia.
• Ekzistojnë dyshime për sigurinë shëndetësore të mishit.
Por kjo nuk është hera e vetme që ushqimi i pasigurt është nisur drejt tregut tonë. Edhe javën e kaluar, është ndaluar importi i 22 tonëve arra nga Kazakistani.
“Inspektorët e ushqimit javën e kaluar ndaluan importin e një dërgese prej 22 tonë arra nga Kazakistani, për shkak të etiketimit joadekuat dhe devijimeve nga kriteret e përcaktuara për cilësinë dhe sigurinë ushqimore”, thanë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.
• Javën e kaluar u ndalua importi i 22 tonëve arra nga Kazakistani.
• Nuk kishte etiketim adekuat dhe kishte devijime nga kriteret e përcaktuara për cilësi.
Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, njoftuan se kontrollet e intensifikuara do të vazhdojnë edhe më tej, ndërsa u bën thirrje importuesve që të respektojnë standardet dhe rregullativat ligjore. / Alsat.mk.
The post Agjencia e Ushqimit ndalon 27 tonë produkte të pasigurta për tregun vendor appeared first on Alsat.
