
Bashkimi në VLEN është një projekt për rikonstruimin e politikës shqiptare në vend, model të ri të përfaqësimit dhe ndalim të përçarjes së votës shqiptare. Kështu e vlerëson Izet Mexhiti vendimin e partive që përbënin koalicionin VLEN për pushimin e të gjitha organeve partiake dhe shkrirjen në një subjekt të vetëm politik VLEN. Në thelb të këtij qëndrimi është ideja e konsolidimit të skenës politike shqiptare në dy blloqe kryesore, që sipas tij do ta forcojë zërin shqiptar.
“Kjo është përgjigjja më e mirë ndaj atyre që për vite kanë investuar në përçarjen e votës shqiptare. Ky është fundi i politikës së përçarjes dhe fillimi i një epoke të re të fuqisë shqiptare. Nuk ka më hapësirë për interesa të ngushta, për pazare në kurriz të qytetarëve, apo për politikë që na mban të ndarë. Nga sot, zëri shqiptar do të jetë një – i fortë, i qartë dhe i pandalshëm”, deklaroi Izet Mexhiti, VLEN.
• Kjo është përgjigje ndaj atyre që investuan në përçarjen e votës shqiptare
• Është fund i politikës së përçarjes e fillim i një epoke të re të fuqisë shqiptare
Edhe njohësit e rrethanave politike, thonë se krijimi i dy blloqeve politike në kampin shqiptar do të sjell më shumë deputetë shqiptarë në Kuvend. Florian Nesimi thotë për Alsat se në historinë politike të shqiptarëve është dëshmuar se në momentet kur ka pasur dy blloqe është arritur maksimalizimi i votës.
“Për shembull në vitin 2024 kur kishim vetëm Frontin Evropian dhe VLEN-in, shqiptarët arritën që të fitojnë plot 32 mandate, për dallim me periudhën e kaluar kur skena politike ka qenë më e fragmentarizuar, për shembull në vitin 2016 shqiptarët fituan vetëm 20 deputetë”, tha Florian Nesimi, Analist politik.
Sipas Nesimit, tani është momenti që partitë shqiptare të profilizohen njëra si e Majtë e tjetra si e Djathtë, pasi një gjë e tillë, sipas tij, do të nxit konkurrencën brenda partive.
“Diçka pozitive ishin deklaratat e liderëve të VLEN-it, se ato do të profilizohen si parti të djathta, besoj se është edhe momenti ku në skenën politike shqiptare duhet të kemi dy parti, njëra të jetë e Djathtë e tjetra e Majtë. Ky është ndoshta edhe momenti që BDI të profilizohet si parti e Majtë, për shkak se ky profilizim do të nxit konkurrencën brenda partive”, theksoi Florian Nesimi, Analist politik.
Pas LD-së dhe Besës edhe Alternativa në Kuvendin Qendror vendosi të pushojë organet e partisë, duke i hapur rrugën shkrirjes në partinë VLEN. Subjekti i ri do të ketë dy kryetarë, Izet Mexhitin e Bilall Kasamin, dy nënkryetarë Bekim Qokun dhe Ilir Demirin ose Mimoza Musën, ndërsa sekretar i përgjithshëm do të jetë Bekim Sali. / Alsat.mk.
