Vendet nga Ballkani Perëndimor u angazhuan që të ndërtojnë treg të përbashkët rajonal si parakusht për anëtarësim në BE. Në takimin e Procesit të Berlinit, delegacionin shtetëror e udhëhoqi kryeministri Hristijan Mickoski, i cili nënshkroi Planin aksional, ndërsa përmes tij, siç shkroi kryeministri në rrjetet sociale, do të hapen dyert për zhvillim më të madh dhe mundësi të reja për kompanitë. Megjithatë në fokus të takimit në Berlin ishte procesi i zgjerimit të Unionit me vendet nga rajoni.

 “Kancelari gjerman Sholc tha se BE nuk është e plotë pa shtetet e Ballkanit perëndimor. BE duhet t’i përkrahë shtetet që tregojnë pjekuri, vendosmëri dhe bashkëpunim për qëllimin e përbashkët. Maqedonia ka bërë shumë në këtë drejtim”, tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.

Në takim mori pjesë edhe kryetarja e Komisionit europian, Ursula von der Lajen, e cila theksoi se zgjerimi është në majë të agjendës së Unionit. Ajo këtë e arsyetoi me pushtimin rus ndaj Ukrainës. Von der Lajen i thirri vendet kandidate që t’i shmangin konfliktet dhe të punojnë në krijimin e tregut të përbashkët.

 “Sa më shumë vende kandidate lëvizin përpara aq më mirë, por ka dallime të qarta në shpejtësinë dhe arritjet, do të shohim se çfarë do të ndodhë në fund. Megjithatë, duhet qartë t’i përmbahemi parimit se bëhet fjalë për proces të bazuar në merita”, u shpreh Ursula Von der Lajen – kryetare e Komisionit Europian.

Nikoqiri, kancelari gjerman Olaf Sholc shpreson se nuk do të nevojiten edhe 10 vjet që 6 vendet e Ballkanit Perëndimor  t’i bashkëngjiten Unionit.

 “BE do të jetë e plotë vetëm me Ballkanin Perëndimor në të”, theksoi Olaf Sholc – kancelar i Gjermanisë.

Kryeministri Mickoski zhvilloi takim dypalësh me Sholc ku kanë biseduar, siç theksoi, për nevojën që të vlerësohen përpjekjet tona në rrugën drejt BE-së ku presim shumë gjatë për hyrje, për nevojën për vendosjen e energjisë dhe dinamikë në proces.