Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë të hënën se Uashingtoni dhe Irani kanë zhvilluar “biseda frytdhënëse” për ta zgjidhur përfundimisht konfliktin në Lindjen e Mesme.

Ai theksoi gjithashtu se do t’i “pezullojë të gjitha sulmet ndaj centraleve energjetike dhe infrastrukturës energjetike iraniane” për një periudhë pesëditore.

Bisedimet me Iranin do të vazhdojnë gjatë gjithë javës, tha Trump në një postim në rrjetet sociale.

“E kam udhëzuar Departamentin e Luftës që t’i pezullojë të gjitha sulmet ushtarake ndaj centraleve energjetike dhe infrastrukturës energjetike iraniane për një periudhë pesëditore, në varësi të suksesit të takimeve dhe diskutimeve në vazhdim”, shkroi ai.

Nuk ka pasur asnjë njoftim se po zhvilloheshin bisedime mes Uashingtonit dhe Teheranit, e as nuk janë dhënë hollësi për bisedimet e fundjavës që përmendi presidenti.

Agjencia e lajmeve Fars, e cila është e afërt me Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), citoi burime duke thënë: “nuk ka komunikim të drejtpërdrejtë me Trumpin e as përmes ndërmjetësve”.

Ndërkohë, Izraeli – i cili tha menjëherë pas njoftimit të Trumpit se po kryente sulme ajrore në Iranin qendror – nuk ka komentuar publikisht./rel.

The post Tramp: SHBA-ja do t’i ndalë sulmet ndaj caqeve energjetike të Iranit appeared first on Alsat.