Gazetar: Angell Dimovski

Komisioni Rregullator për Energjetikë e ndryshoi rregulloren – për çmimet e derivateve nuk do të vendoset vetëm të hënën, ato do të mund të ndryshohen edhe në baza ditore. Ky vendim erdhi pas shpalljes së gjendjes krizë për një periudhë prej 30 ditësh dhe uljes së TVSH-së për derivatet nga ana e Qeverisë. Ndërkaq me vendim të Komisionit Rregullator për Energjetikë, dizeli nga mesnata pëson rritjen e tretë dhe shtrenjtohet për 3,5 denarë, ndërsa çmimi i benzinës BS-95 dhe BS-98 mbetet i pandryshuar.

Komisioni Rregullator për Energjetikë 

„EUROSUPER BS-95: 86,50 den/l (çmimi mbetet i njëjtë)

EUROSUPER BS-98: 88,50 den/l (çmimi mbetet i njëjtë)

EURODIZEL: 95,50 den/l (+3,5 den)

Ekstra vaj i lehtë (EL-1): 89,50 den/l (+2,5 den)

Mazut M-1 NS: 47,610 den/kg (+157 den)“

Qytetarët thonë se me çmimet e reja të rritura nuk mund t’i nxjerrin makinat nga vendet e parkimit, duke shtuar se më e leverdishme u del të ecin në këmbë.

“Ngas më pak, fatmirësisht tani ngas skuter që harxhon më pak, makina më rri në parking, kështu që çmimet mendoj se sidomos për në Shkup, për në qytet, shpenzimi është shumë i madh“, tha një qytetar.

„Çmimi është pak i tepruar, por tani kjo është, çfarë të bëjmë“, thotë një qytetar.

„Më leverdis më shumë të rrijë në garazh sesa ta nxjerr, ja gruaja tani le të presë, kush ka kohë të presë. Karburanti është i shtrenjtë, pa diskutim“, u shpreh një qytetar.

Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se po e ndjekin situatën dhe, nëse ka rritje më të madhe të çmimeve, do të ndërhyjnë edhe me uljen e akcizës.

“Erdhëm në përfundim se nëse do të ndërhynim vetëm në akciza, atëherë ulja e çmimit të benzinës pa plumb 95 dhe 98 oktan do të ishte 1 denar për litër, ndërsa për dizelin do të ishte 2 denarë për litër. Prandaj vendosëm të kemi një ndërhyrje më të fuqishme dhe më të madhe, dhe në këtë mënyrë çmimet ulen përafërsisht për 6,5 deri 7 denarë për litër. Natyrisht, situatën do ta ndjekim dhe si masë e ardhshme, kur ajo ulje do të ishte më domethënëse, do ta marrim parasysh edhe atë“, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.

Ndryshe, Qeveria dje në një seancë të jashtëzakonshme mori vendim për uljen e TVSH-së për derivatet e naftës.

“Qeveria ka ndërmarrë masa për uljen e tatimit mbi vlerën e shtuar për derivatet e naftës nga 18% në 10%, pasi tre javë më parë hapa të ngjashëm ndërmorën edhe vendet fqinje.“

Vendimi për uljen e TVSH-së hyn në fuqi sot në mesnatë dhe do të vlejë për dy javë. Sipas autoriteteve, inspektoratet tashmë kanë konstatuar rritje çmimesh te vaji dhe vezët, ndërsa produktet e tjera i ruajnë çmimet mesatare./ Alsat.mk.

The post Nga mesnata 1 litër dizel, 95.5 denarë appeared first on Alsat.