Alternativa javën e kaluar vendosi që partia të bashkohet në partinë e re VLEN. Por me njërën prej pikave nga partia e Bekim Salit kërkojnë që para nënshkrimit të marrëveshjes përfundimtare të detajohen të drejtat e secilit organ. Kryetari i Besës Bilall Kasami tha se subjektet e këtij koalicioni mblidhen sonte për të konkretizuar funksionimin si parti e unifikuar, dhe se do të sqarohen edhe me Alternativën.

“Alternativa, ashtu si edhe Lëvizja Besa dhe LD-ja, tashmë morën vendim për shkrirje të organeve partiake në një subjekt të vetëm. Ne sot kemi takimin e radhës ku besoj që do t’i sqarojmë edhe këto çështje edhe me Alternativën dhe nga sonte unë besoj që do të nisë rrugëtimi i VLEN-it drejt një subjekti politik”, tha Bilall Kasami – Besa/Vlen.

Sipas Kasamit me rikonstruimin e Qeverisë mund të përfshihen Fatmir Limani dhe dikush nga ASH, që me shumë gjasa behet fjale per Arben Fetain. 

“Ashtu si Fatmir Limani edhe figura tjera. E dini se ka pasur zhvillime brenda ALeancës ndoshta mund të jenë në planin e rikontruimit por ajo që është më me rëndësi, fokusi është te VLEN dhe besoj se deri në rikontruimin e Qeverise VLEN do të jetë më i konsoliduar”, shtoi Kasami.

Por kryeministri Hristijan Mickoski tha se kjo do të vendoset gjatë rikonstruimit të paralajmëruar në maj ose qershor.

“Kemi paralajmëruar se aty diku nga muaji maj-qershor do të kemi rikonstruim të qeverisë dhe nënkuptohet që shumë nga pyetjet gjatë dhe para se të ndodhë ai rikonstruim do të vendosen në tavolinë dhe do të flasim”, tha  Hristijan Mickoski – kryeministër .

Takimi i liderëve të VLEN-it zhvillohet sonte në mbrëmje.