Gjendja me karburantet është e qëndrueshme, është rënë dakord me OKTA për zbritje prej 3 denarësh për litër karburant dhe nuk ka nevojë për ndalime dhe kufizime që fqinjët të furnizohen me karburant tek ne. Ky është qëndrimi i kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili thotë se po ndiqet me vëmendje situata me konfliktin në Lindjen e Mesme, por për momentin përveç uljes së TVSH-së për karburantet nga 18 në 10 për qind, nuk ka nevojë për ndërhyrje të tjera. Kryeministri pret që nëse çmimi i naftës në bursat botërore deri të premten vazhdon të bjerë si dje dhe sot, atëherë Komisioni për Energjetikë të hënën të ulë çmimin e karburanteve.
“Ne tregojmë se kjo Qeveri kujdeset për qytetarët drejtpërdrejt nga buxheti. E jo me truqe, do t’i rrisim akcizat dyfish e pastaj do t’i ulim për 20-30 për qind. Kjo është dallimi mes një qeverie të përgjegjshme që kujdeset për qytetarët dhe standardin e tyre dhe qeverive që krijojnë vetëm një dukje. Ne jemi një nga të rrallat, ndoshta dy-tre qeveri të tjera në Evropë që ndërhyjnë në këtë mënyrë. Por sigurisht kemi edhe mjete të tjera dhe plan tjetër për hapat e ardhshëm nëse kriza përshkallëzohet”, tha Micksoki.
Edhe pse konsumi i furnizimit me karburant tek ne është rritur për 10 për qind, për shkak të fluksit nga vendet fqinje, kryeministri nuk sheh nevojë për ndërhyrje me kufizime dhe ndalime. Thotë se naftësjellësi është në funksion të plotë, depot janë të mbushura, kemi rezerva nafte për 60 ditë. Janë plotësuar edhe nevojat për energji elektrike, por megjithatë sipas kryeministrit Mickoski po shqyrtohet tërheqja e mazutit nga rezervat shtetërore. Edhe ministrja e Energjetikës Sanja Bozhinovska ka qëndrimin se çmimet e karburanteve janë stabile. Me zbritjen shtesë nga OKTA dhe uljen e TVSH-së për karburantet është parandaluar një tronditje e çmimeve në treg.
“OKTA e rriti shtesë zbritjen për dizelin nga 2 në 3 denarë për litër, përkatësisht vendosi një zbritje shtesë prej 1 denari, me vazhdimin e masës deri më 6 prill. Ky është rezultat konkret i qasjes partnere dhe koordinimit të vazhdueshëm me qëllim përfitime direkte për qytetarët dhe ekonominë”, deklaroi Sanja Bozhinovska.
Pritjet janë që çmimi i dizelit tek ne të bjerë për një denar shtesë, ndërsa tregtarët e naftës ta përfshijnë këtë marrëveshje edhe në çmimet në pikat e karburantit. Nuk dihet kur Komisioni Rregullator për Energjetikë do të marrë vendim të ri për çmimet e karburanteve pasi dje e ndryshoi rregulloren. Tani, në vend që vetëm të hënën, do të mund të marrë vendime sa herë që ka ndryshime drastike të çmimit të naftës në bursat botërore. Për momentin, pas rritjes së madhe, çmimet në bursat botërore kanë rënë dhe janë stabilizuar në rreth 100 dollarë për fuçi.
