Ylli egjiptian Mohamed Salah ka konfirmuar se do të largohet nga Liverpool FC në fund të këtij sezoni, duke i dhënë fund një epoke të artë në “Anfield”.

Edhe pse kontrata e tij ishte e vlefshme deri në verën e vitit 2027, sulmuesi ka vendosur të mbyllë aventurën një vit më herët. Lajmi u bë i ditur përmes një videoje emocionale në rrjetet sociale, ku Salah u shfaq i prekur.

“Ka ardhur dita. Kjo është pjesa e parë e lamtumirës time”, u shpreh ai me lot në sy.

Salah theksoi lidhjen e fortë që ka krijuar me klubin dhe qytetin e Liverpoolit, duke e cilësuar përvojën si shumë më tepër sesa futboll. “Nuk e imagjinoja kurrë sa shumë ky klub, ky qytet dhe ky popull do të bëheshin pjesë e jetës sime. Nuk është thjesht një klub futbolli: është histori, pasion, shpirt”, deklaroi ai.

Në mesazhin e tij, egjiptiani falënderoi të gjithë ata që kanë qenë pjesë e rrugëtimit të tij, duke e përshkruar largimin si një nga momentet më të vështira. “Ju më keni dhënë momentet më të bukura të jetës sime. Ky klub gjithmonë do të jetë shtëpia ime”, tha ndër të tjera Salah.

Mohamed Salah iu bashkua Liverpoolit në vitin 2017 nga Roma dhe gjatë qëndrimit të tij u shndërrua në një nga figurat më ikonike të klubit, duke shënuar mbi 250 gola dhe duke fituar trofetë më të rëndësishëm në futbollin anglez dhe evropian.