Kryeministri Hristijan Mickoski ka reaguar ndaj kritikave të BDI-së për importin e energjisë elektrike, përcjell TV21. Mickoski tha se e përshëndet interesimin e BDI-së për temën e energjetikës, por sipas tij, Elektranat e Maqedonisë së Veriut në baza ditore fitojnë deri 150,000 euro nga tregtimi me energji elektrike në bursë.
“Dua ta përshëndes këtë sjellje të re të BDI-së, sepse ka dalë nga ata, do të thosha retro politikat, që ishin politika të politikanëve para disa dekadave, të fundit të shekullit të kaluar, dhe që përfundimisht kanë filluar të interesohen për temat reale që qytetarët me të vërtet i intereson, ku mes tjerash është edhe kjo sfidë që ndodh sot dhe është historike, lufta mes Iranit, SHBA-së, Izraelit dhe shteteve për rreth. Sipas ekspertëve, kriza me naftën dhe sasitë që mungojnë në këtë moment vlerësohet që është më e madhe se në dy krizat e mëdha në vitet e 70-ta të shekullit të kaluar. Atëherë në ditë mungonin mes 9-10 milionë barelë, sot mungojnë mes 11-12 milionë barelë. Si hyrje, dmth është mirë që kanë dalë nga prangat e nacionalizmit, të etno-politikës, folklorit, e kështu me radhë , dhe që përfundimisht u interesojnë problemet e qytetarëve, por e keqja është se nuk e zotërojnë mirë materien dhe atë që e thonë, është e kundërta e së vërtetës, për shkak se sot EMV, ish-ELEM gjatë orëve të natës, eksporton, respektivisht shet në bursë rreth 85 megavatë/h, që në ditë kompanisë i shton vlerën mes 100-150 mijë euro”, tha Mickoski.
