Gjermania përmes një nisme të re ligjore, synon vendosjen e taksës mbi pijet që përmbajnë sheqer, si dhe kufizimin e përdorimit të pijeve energjike për personat nën moshën 16 vjeç. Masa vjen në kuadër të përpjekjeve në rritje për të luftuar obezitetin tek fëmijët, një çështje që po gjen mbështetje të gjerë ndërpartiake në vend.

Propozimi pritet të hidhet në votim këtë të premte në Bundesrat, organi federal që përfaqëson 16 landerët gjermanë, duke shënuar hapin e parë drejt një rregullimi të mundshëm ligjor.

Drafti nuk përcakton ende nivelin konkret të taksës mbi sheqerin, por parashikon që të ardhurat e gjeneruara të kanalizohen në programe dhe iniciativa për përmirësimin e shëndetit publik.

Kryeministri i Schleswig-Holstein dhe një nga iniciatorët e propozimit, Daniel Günther, theksuan se industria ushqimore duhet të nxitet të rishikojë formulat e produkteve të saj.

Një tjetër element kyç i propozimit është vendosja e kufizimeve për pijet energjike, për shkak të përmbajtjes së lartë të kafeinës, taurines dhe sheqerit.

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, më shumë se 100 vende në botë kanë aplikuar tashmë taksa mbi pijet me sheqer, përfshirë rreth gjysmën e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, si Belgjika, Franca dhe Portugalia.

Edhe pse CDU, pjesë e së cilës është edhe Günther, kishte refuzuar një propozim të ngjashëm në muajin shkurt, zhvillimet e fundit tregojnë për një ndryshim qëndrimi, me disa deputetë që tashmë e mbështesin nismën, së bashku me të Gjelbrit dhe Socialdemokratët.

Sondazhet tregojnë gjithashtu një mbështetje të konsiderueshme nga publiku, rreth 60% e qytetarëve gjermanë janë në favor të këtij hapi.

Ndërkohë, një studim i publikuar në vitin 2024 nga studiues të Universitetit Teknik të Mynihut vlerëson se një taksë e ngjashme me atë të Mbretërisë së Bashkuar do të ulte konsumin ditor të sheqerit me 2-3 gramë për person.