Projektligji për Arsimin e Lartë përsëri do të vendoset në ENER dhe pas kësaj do të shkojë në procedurë qeveritare, njoftoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska. Sipas saj, janë marrë parasysh një numër i madh vërejtjesh, duke pranuar ndryshime si në aspektin teknik ashtu edhe në atë thelbësor. Ndër ndryshimet kryesore përfshihen ulja e kërkesave për numrin e punimeve për magjistraturë dhe doktoratës.

“Shumë vërejtje kemi pranuar gjithçka që e konsiderojmë si konstruktive, kemi bërë disa lëshime pavarësisht nëse janë të natyrës më teknike apo më thelbësore. Dhe çfarë pranuam?! Pranuam, për shembull, një punim më pak për magjistraturë, pranuam një punim më pak për doktoraturë, Scopus për shkencat humane dhe shoqërore. E ulëm përqindjen e garancisë bankare për privatët. Vendosëm kritere të reja, ashtu siç kërkohen për zhvillimin e ciklit të tretë të studimeve, dhe shumë e shumë të tjera që do të shihen të hënën”, tha Vesna Janevska.

Rektori i Universitetit të Tetovës, Jusuf Zejneli, për TV21 deklaroi se vërejtjet kryesore ndaj ligjit i kanë çështjet që lidhen me studimet e doktoratës, ku kërkojnë të tërhiqet çështja e rangimit. Po ashtu tha se kërkojnë më tepër mjete financiare për hulumtime, por edhe për vende te reja të punës.

-Pastaj çështja e kufizimit ku vetëm 4 universitetet më të ranguara të kenë mundësi të organizojnë studime të doktoraturës, çështja e numrit të projekteve të harmonizohet.
-Kur thoni që e cenon autonominë e Universitetit çfarë do të thotë kjo?
-Kjo do të thotë se paraqitet si një organ përmes të cilit pushteti ekzekutiv mund ta ushtron drejtpërdrejtë ndikimin nëpër institucionet e shkollimit të lartë, pra nuk është praktikë e mirë. Ne në këtë drejtim Universiteti ka organet e veta, këshillin e tij, rektoratin, senatin, për këtë edhe senati i UT kërkoi tërheqjen e ligjit, me qëllim që vërejtët tona të merren parasysh.

Versioni i parë i projektligjit u tërhoq për ndryshime, pasi u kritikua për mungesë të transparencës dhe pjesëmarrjes publike, çështjet e autonomisë universitare, të financimit dhe përfaqësimit adekuat të grupeve të ndryshme brenda universiteteve. Kritikat e botës akademike Ministrja e Arsimit i pati quajtur kërkesë e një grupi të vogël profesorësh.