Aliu: Jemi të fokusuar në përmirësimin e kushteve në repartet pediatrike

Мinistri i shëndetësisë, Azir Aliu, në hapjen e Shkollës së Katërt Ballkanike të Pediatrisë, theksoi se fokusi është në përmirësimin e kushteve në repartet pediatrike, modernizimin përmes pajisjeve të reja mjekësore dhe forcimin e burimeve njerëzore, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

“Pediatria, si një nga degët më humane dhe më të përgjegjshme të mjekësisë, ka rol kyç në ndërtimin e gjeneratave të shëndetshme. Kujdesi për më të vegjlit nuk është vetëm detyrë mjekësore, por edhe përgjegjësi shoqërore me prioritet të lartë. Për këtë arsye, Ministria e Shëndetësisë vazhdimisht po investon në përmirësimin e kujdesit shëndetësor pediatrik. Në këtë drejtim, fokusi është vendosur në: përmirësimin e kushteve në repartet pediatrike, modernizimin përmes furnizimit me pajisje të reja mjekësore, forcimin e kapaciteteve njerëzore”, tha Aliu.

Ministri theksoi se pa staf profesional dhe të motivuar nuk mund të ketë sistem shëndetësor të qëndrueshëm. Si pjesë e këtyre përpjekjeve, përmes programit për specializime dhe subspecializime janë ndërmarrë hapa konkretë për plotësimin e mungesës së kuadrit.

Nga atje shtojnë se gjatë vitit të kaluar janë miratuar 17 specializime në pediatri për institucionet publike shëndetësore, ndërsa janë punësuar edhe 15 specializantë privatë, një pjesë e të cilëve janë angazhuar në Klinikën Universitare të Pediatrisë. Këto masa kontribuojnë drejtpërdrejt në uljen e deficitit dhe forcimin e sistemit.