Gazetar: Avni Tahiri

Jo më larg se disa muaj më parë u përhapën pamje shqetësuese të lumit Vardar i cili ishte i mbuluar nga mbeturinat. Kjo situatë ka ngritur alarmin për ndotjen e vazhdueshme të burimeve ujore në vend.

Në Ditën Ndërkombëtare të Ujit, u theksua potenciali i pashfrytëzuar i burimeve ujore në vend dhe nevoja për përmirësimin e menaxhimit.

“Sot zyrtarisht hapim diskutim publik për raportin mbi menaxhimin e ujërave për pellgun e lumit Vardar. Kjo është një fazë thelbësorë në përgatitjen e planit për menaxhim të pellgut të lumit Vardar”, deklaroi Muhamet Hoxha – Ministër i mjedisit dhe planifikimit hapësinor.

Sipas ambasadorit zviceran në vend, mbrojtja dhe menaxhimi i qëndrueshëm i ujit nuk është vetëm një prioritet mjedisor, por edhe thelbësor për qëndrueshmërinë ekonomike dhe shëndetin publik.

 “Në Maqedoninë e Veriut, sektorët që varen nga uji përbëjnë pothuajse një të tretën e prodhimit bruto vendor, një të katërtën e punësimit dhe mbi një të tretën e eksporteve. Edhe më e rëndësishme, ujërat nëntokësore sigurojnë afërsisht 80% të ujit të pijshëm në vend. Këto shifra janë një kujtesë se mbrojtja dhe menaxhimi i qëndrueshëm i ujit nuk është vetëm një prioritet mjedisor, por edhe thelbësor për qëndrueshmërinë ekonomike, shëndetin publik dhe mirëqenien shoqërore”, tha Christoph Sommer – Ambasdador i Zvicrës në RMV.

Lumi Vardar konsiderohet ndër lumenjtë më të ndotur për shkak të ujërave të zeza urbane dhe mbetjeve industriale. Ndotja shihet sidomos pas reshjeve, kur në sipërfaqe dalin mbetje plastike. / Alsat.mk.

The post Dita Ndërkombëtare e Ujit: Theksohet nevoja për menaxhim më të mirë dhe mbrojtje të ujërave appeared first on Alsat.