Gazetar: Miki Trajkovski
Në prag të sezonit të ri turistik, mungesa e stafit këtë verë do të mbetet problem i madh për gastronomët. Zgjidhja e re ligjore, me të cilën lejohet të punojnë, ndër të tjera, edhe pensionistët për disa orë në ditë, nuk do ta zgjidhë plotësisht problemin në sektorin e gastronomisë ku aktualisht mungojnë rreth 5.000 punëtorë.
„E shohim këtë si një masë me shpresën që në disa pozicione mund të kemi mundësi të shtojmë ndoshta disa nga njerëzit tanë lokalë. Por mendoj se në gastronomi do të jetë paksa e vështirë, sepse kuzhinierë me përvojë rrallë janë të lirë, ndërsa pjesa tjetër fizike është pak e lodhshme, kështu që nuk besoj se do të japë rezultat të madh në aspektin e gastronomisë, përveç në pjesën e kuzhinës, ku pensionistët ende janë të angazhuar,“ deklaroi Igor Celeski menaxher restoranti në Ohër.
Disa prej tyre tashmë kanë punësuar pensionistët e parë.
„Ishte një vendim i marrë me vonesë. Ne mund ta kishim marrë këtë vendim edhe vitin e kaluar për të funksionuar me atë punë. Nga dy të këqija, do të zgjidhni atë që është më e vogël. Kështu që kjo do të jetë e mirë për banorët lokalë dhe për ata që ankohen për pensionet. Do t’u japim vlerë të shtuar atyre dhe për ta do të jetë e mirë. Unë tashmë kam punësuar pensionistë me kontrata pune sipas ligjit dhe jam i kënaqur,“ tha Musa Rashid pronar hoteli në Ohër.
Zgjidhja e vetme për të mbajtur stafin ekzistues dhe atë cilësor me të cilin disponojnë është ofrimi i pagave të mira dhe të denja, si dhe kushteve më të mira të punës. Me Ligjin për angazhimin e personave nga 1 janari, pensionistët, studentët, nxënësit dhe të papunët mund të punojnë deri në 6 muaj pa frikë se do të humbasin pensionin, bursën apo ndihmën sociale. Në vitet e kaluara, sezonet turistike, gastronomët angazhonin nxënës dhe studentë, të cilët nuk kishin përvojë, gjë që e bënte shërbimin jo mjaftueshëm cilësor. Disa prej tyre ishin të detyruar të sillnin punëtorë nga jashtë. /Alsat.mk
The post Mungesa e punonjësve në sektorin e gastronomisë përbën problem të madh appeared first on Alsat.
