Shqiptarët në Ministrinë e Punëve të Brendshme janë të përfaqësuar në nivel 22,91%. Kështu tregojnë të dhënat për vitin 2025, respektivisht në periudhën kur në shtet s’ka balancues dhe mekanizëm tjetër që rregullon përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, shkruan Alsat. Sipas Planit Strategjik 2026 – 2028, i cili është firmosur më 11 mars nga ministri Pançe Toshkovski, në të cilin përshkruhen masat dhe aktivitetet për prioritetet dhe qëllimet strategjike, tregohet se gjithsej në MPB janë të punësuar 2.605 shqiptarë.

Megjithatë, nuk jepen të dhëna për përfaqësimin etnik të punësuarve në pozitat udhëheqëse.

Tabela 1

Të punësuarit në Ministrinë e Punëve të Brendshme

(sipas përkatësisë etnike)

Përkatësia etnike Përqindja Numri i të punësuarve
Maqedonas 72,06% 8.194
Shqiptarë 22.91% 2.605
Turq 1.94% 221
Serbë 1.31% 150
Romë 0,68% 78
Vllehë 0,25% 29
Të tjerë 0,81% 93
Gjithsej   11.370

Nga ana tjetër 8.194 prej të punësuarve apo 72% janë maqedonas. Komunitetet në Ministrinë e Punëve të Brendshme janë të përfaqësuar me përqindje të ulëta. 221 të punësuar apo 1,94% janë turq, 150 të punësuar apo 1.31% janë serbë, 78 të punësuar apo 0,68% janë romë, 29 të tjerë apo 0,25% vllehë, ndërsa rreth 0,8% e të punësuarve tjerë janë të komuniteteve tjera.

Tabela 2

Të punësuarit në Ministrinë e Punëve të Brendshme

(sipas kategorisë)

Kategoria Përqindja
Të uniformuar 6.617
Të jouniformuar 2.671
Të autorizuar 1.765
Sipas Ligjit për Marrëdhënie të Punës 312
Të tjerë 5
Gjithsej 11.370

Sipas të dhënave, në Ministrinë e Punëve të Brendshme gjithsej janë të punësuar 11.370 punonjës. 6.617 të punësuarve janë të uniformuar, 2.671 të pauniformuar, 1.765 të autorizuar, 312 të punësuar sipas Ligjit për Marrëdhënie Pune dhe 5 të punësuar të tjerë.

Sipas përkatësisë gjinore, 8.846 të punësuar janë burra dhe 2.524 gra.

Të dhënat për të punësuarit në Ministrinë e Punëve të Brendshme nuk publikohen nga Avokati i Popullit i cili mban evidencë për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, pasi që bien në fushën e sigurisë. Për të njëjtat arsye, nuk i publikon edhe Ministria e Administratës.

Çështja e përfaqësimit në MPB është riaktualizuar për shkak të sistematizimit të ri në strukturat drejtuese të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Sipas ministrit Toshkovski, deri në 38% e zëvendës dhe ndihmës shefave do të shkurtohen me qëllim që të rritet efikasiteti. Megjithatë, kjo çështje ka ngritur alarmin te faktori politik shqiptar. Opozita shqiptare akuzon se me këtë sistematizim do të ulet numri i përfaqësimit të shqiptarëve, meqë shumica e pozitave që janë në shënjestër të shkurtimit aktualisht mbahen nga shqiptarët. Këto pretendime i ka hedhur poshtë Toshkovski.

The post 22,9% e të punësuarve në MPB janë shqiptarë, s’ka të dhëna për përfaqësimin në pozitat udhëheqëse appeared first on Alsat.