Llogaritjet e Qeverisë kanë treguar se të hënën çmimi i benzinës pritet të ulet për rreth 2 denarë, ndërsa dizeli ose do të mbetet i njëjtë ose do të rritet për gjysmë denari. Kryeministri Mickoski thotë se gjendja është stabile dhe për momentin nuk ka nevojë për masa të reja.

“Bazuar në llogaritjet tona presim që të hënën të kemi ulje prej rreth 2 denarësh të çmimit të benzinave me 95 dhe 98 oktanë, duke marrë parasysh mesataren e kësaj jave nga e hëna deri të premten, ndërsa dizeli ose do të mbetet me të njëjtin çmim ose mund të ketë rritje prej gjysmë denari”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.

Nuk do të ketë seancë të jashtëzakonshme të Qeverisë për masa të reja, pasi sipas kryeministrit masa aktuale me uljen e TVSH-së për karburantet nga 18 në 10 për qind, e cila ka afat dy javë, po jep efekte pozitive.

“Do ta ndjekim këtë javë, nga e hëna deri të premten, si do të jetë gjendja, pastaj do të shohim nëse ka nevojë, kur të përfundojnë këto dy javë, të vazhdohet masa me TVSH të ulur edhe për dy javë të tjera. Ndoshta do të vendosim një masë të re me akcizën, kështu që të presim të shohim si do të lëvizin këto vlera”, shtoi kryeministri Hristijan Mickoski.

Reagoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, sipas tw cilit masat e qeverisë janë të vonuara dhe jo të plota. Ai tha se kryeministri Micskoski, në vend që të marrë masa konkrete, tallet me nevojat e qytetarëve.

“Për çfarë masash flet kryeministri? Qytetarët duhet të shohin diçka reale që do ta ndiejnë, në formë përfitimi, uljeje ose, në mungesë të tjetërsh, kufizim të çmimeve. Është fakt që masat janë të vonuara. Ka filluar spirala e rritjes së çmimeve të ushqimeve. Gjithçka është shtrenjtuar, të gjitha produktet bazë ushqimore janë më të shtrenjta: produkte qumështi, produkte vezësh, vaj, mish, produkte të ndryshme, fruta, perime – gjithçka është shtrenjtuar për 10, 20, 30%. Dhe edhe nëse fillon të ulet çmimi i naftës, ato çmime nuk do të kthehen prapa”, u shpreh Venko Filipçe – kryetar i LSDM-së.

Analistët paralajmëruan se masa është e vonuar dhe e pamjaftueshme, pasi vlerësimet janë se potenciali i kësaj krize mbi inflacionin mund të jetë tri herë më i madh se ai i vitit 2022, kur inflacioni në vend arriti deri rreth 20 për qind. Ata kërkuan nga Qeveria që urgjentisht të merren masa për mbrojtjen e kategorive më të rrezikuara të qytetarëve dhe të ndërhyhet edhe me uljen e akcizës.