Andrea Kimi Antonelli vazhdon të shkëlqejë në Formula 1, duke triumfuar edhe në Çmimin e Madh të Japonisë pas fitores në Kinë.
Piloti italian i Mercedes-AMG Petronas Formula One Team shkroi histori, duke u bërë piloti i parë që fiton dy gara radhazi nën moshën 20-vjeçare.
Antonelli e nisi garën nga pole position, por një start i dobët e zbriti fillimisht në vendin e gjashtë.
Në krye u pozicionua Oscar Piastri, i ndjekur nga Charles Leclerc dhe Lando Norris, ndërsa Mercedes u përball me trafik të dendur në pistë.
Megjithatë, ritmi i lartë i makinës gjermane bëri që Antonelli të rikuperojë shpejt pozicionet dhe të futet në luftë për kreun.
Në xhiron e 15-të, italiani realizoi parakalime vendimtare ndaj Norris dhe Leclerc, duke u bërë piloti më i shpejtë në pistë.
Momenti kyç erdhi pas aktivizimit të Safety Car, që i hapi rrugë Antonellit për të marrë kryesimin e garës.
Në ristart, ai menaxhoi në mënyrë perfekte avantazhin dhe rriti diferencën xhiro pas xhiro.
Në fund, Antonelli kaloi i pari vijën e finishit, duke lënë pas Piastri dhe Leclerc, ndërsa George Russell u rendit i katërti.
Pas kësaj fitoreje, Antonelli merr kryesimin e kampionatit me 72 pikë, duke u bërë edhe piloti më i ri në histori që udhëheq renditjen e Formula 1.
