Gazetare: Linda Ebibi ademi

Kriza ekonomike dhe shtrenjtimi i jetesës, si pasojë e situatës në Lindjen e Mesme, ndikojnë negativisht tek qytetarët. Sipas psikologes Mirjana Jovanovska, situatat e tilla rrisin ndjeshëm ankthin dhe pasigurinë për të ardhmen. Shumë njerëz ndihen të pasigurt për mirëqenien e tyre dhe të familjes. Në disa raste, kjo gjendje mund të çojë edhe në probleme më të thella si stresi i vazhdueshëm dhe depresioni.

“Atëherë problemet paraqiten me gjumin, me punën e tyre çdo ditore, paraqiten probleme me përqendrimin, zgjohen më nervozë ose zhvillojnë depresion, mbyllen në vet vete, nuk janë aktiv siç kanë qenë. Ndikon edhe se si familja funksionon,… normalisht do të ketë ndikim në të gjithë atmosferën dhe jetesën e të gjithë shoqërisë,” deklaroi Mirjana Jovanovska Stojanovska, psikologe.

Sipas Jovanovskës, deri më tani asnjë qytetar nuk ka kërkuar ndihmë konkrete lidhur drejtpërdrejt me luftën. Megjithatë, tema e saj është pothuajse gjithmonë e pranishme në seancat psikologjike. Gjatë bisedave, qytetarët shpesh shprehin shqetësimet dhe pasiguritë që kanë për situatën aktuale.

“Në lidhje me këtë temë nuk ka ardhur dikush që të thotë unë frikësohem për nesër, por të gjithë që vijnë në çdo bisedë e cekin këtë pjesë. Për shembull a dëgjuat se çfarë flitej në televizion, lexuam në internet, a dëgjuat bombardime, a dëgjuar raketa, pra në çdo bisedim, të gjithë që vijnë e përmendim….pjesë e bisedave janë edhe këto dhe kjo sapo ka filluar të rritet në shoqërinë tonë,” tha Mirjana Jovanovska Stojanovska, psikologe.

Ndërkohë qytetarët me kredi dhe vështirësi financiare përjetojnë nivele më të larta stresi dhe e kanë më të vështirë përballimin e situatës. Ndërsa, psikologët ngrenë alarmin se konsultimet me psikolog ende mbeten tabu për shumë njerëz. Sipas tyre, nevojitet një qasje më sistematike dhe mbështetje më e madhe nga institucionet shtetërore. /alsat.mk

The post Konfliktet globale shkaktojnë pasiguri te qytetarët, situata më rëndë përjetohet nga familjet me vështirësi financiare appeared first on Alsat.