Publikohet harta e 103 masakrave në Kosovë – dëshmi e krimeve që nuk harrohen

Sebastian Sokoli ka publikuar një hartë të detajuar ku shënohen 103 nga masakrat më të mëdha të kryera në Kosovë gjatë viteve 1998–1999, periudhë që mbetet ndër më të dhimbshmet në historinë e vendit.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Sokoli ka bërë publike listën e lokacioneve ku janë kryer krimet më të rënda ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës.
“A duhet patjetër një i mbijetuar nga masakra më e madhe në Kosovë, nga ajo e Mejë, që t’i dokumentojë masakrat, numrin e të vrarëve dhe lokacionin e tyre, pasi institucionet kanë fjetur për 27 vite”, ka shkruar ai.
Sipas hartës së publikuar, në listë përfshihen masakrat më të njohura dhe më të rënda, ndër to: Masakra e Krushë e Madhe, Masakra e Izbicë, Masakra e Reçak, Masakra e Prekaz, Masakra e Dubravë, si dhe dhjetëra lokacione të tjera ku civilët u vranë në mënyrë masive.
Në hartë janë shënuar edhe krime të ndodhura në qytete dhe fshatra të ndryshme si Gjakovë, Mitrovicë, Vushtrri, Skenderaj, Podujevë dhe shumë zona të tjera që mbajnë ende plagët e luftës.
Publikimi i kësaj harte po konsiderohet si një përpjekje e rëndësishme për kujtesën kolektive dhe dokumentimin vizual të krimeve të luftës, në kohën kur ende shumë familje kërkojnë drejtësi për të afërmit e tyre të vrarë dhe të zhdukur.