Ish këshilltari i BDI-së në Kumanovë, Fitor Jakupi ka reaguar publikisht pasi është larguar nga marrëdhënia e punës në Drejtorinë e të Ardhurave Publike, duke e cilësuar vendimin si të padrejtë dhe në kundërshtim me ligjin.
Sipas një reagimi të tij në rrjete sociale, Jakupi shprehet se fillimisht më 18 dhjetor 2024 i është dhënë një vendim për transferim të përkohshëm nga Kumanova në Shkup, për shkak të nevojave të institucionit dhe ngarkesës së punës. Ky angazhim, që fillimisht ishte paraparë për tre muaj, më pas është zgjatur në mënyrë të njëpasnjëshme deri në fund të vitit 2025.
Ai thekson se gjatë kësaj periudhe ka pranuar të kryejë edhe detyra që nuk i përkisnin pozitës së tij sipas sistematizimit si “Përmbarues i ri”, duke mos kundërshtuar vendimet me qëllim që të kontribuojë në përfundimin e punëve pa vonesa.
Megjithatë, sipas tij, më 21 janar 2026 është marrë një vendim i ri për zgjatjen e angazhimit në Shkup deri në fund të vitit 2026, të cilin ai e konsideron si shkelje të dispozitave ligjore dhe të marrëveshjes kolektive të institucionit.
“Padrejtësisht dhe në kundërshtim me rregulloren, më kanë mbajtur mbi afatin e lejuar. Sot më është dorëzuar vendimi për largim nga puna,” shkruan Jakupi.
Ai shton se ky rast nuk është vetëm një çështje personale, por sipas tij, pasqyron një problem më të gjerë që prek shumë punonjës.
“Kjo nuk është thjesht një goditje personale, por një tregues i një problemi më të madh që prek shumë njerëz në heshtje,” thekson ai, duke paralajmëruar se do të kërkojë drejtësi përmes rrugëve ligjore.
Në fund të reagimit, Jakupi shpreh vendosmërinë për të mos u dorëzuar:
“Nuk do të hesht. Do të vazhdoj të kërkoj drejtësi për veten dhe për të gjithë ata që ndodhen në të njëjtën situatë.”
Jakupi ka qenë këshilltar në Këshillin Komunal Kumanovë nga rradhët e BDI-së në mandatin e kaluar. Ai poashtu në vitin 2001 ka qenë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
