Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, u ka uruar suksese futbollistëve të Kosovës në ndeshjen finale të plejofit kualifikues për Kupën e Botës 2026 kundër Turqisë.

Ndeshja zhvillohet sonte nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

“Ndoshta sot mund të ishim dy por edhe kështu, jemi një. Me krenarinë që na dha Shqipëria dhe shpresën që na jep Kosova. Forca djemtë tanë!”, shkruan Duka në rrjetet sociale. Duka ka postuar fotografinë e festës së lojtarëve të Kosovës pas fitores 4:3 në gjysmëfinale të plejofit kualifikues për Botërorin e këtij viti ndaj Sllovakisë të enjten e kaluar në Bratislavë.