Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi në një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm izraelit Israel Katz, theksoi ndër të tjera nevojën për hyrjen e lirshme të ndihmës humanitare në Gazë.
Kryediplomati kinez tha se bashkësia ndërkombëtare është thellësisht e shqetësuar rreth përshkallëzimi të zgjatur të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Duke theksuar se të gjitha jetët janë të barabarta pavarësisht nga kombësia apo etnia, Wang u shpreh se fatkeqësia humanitare në Gazë duhet të përfundojë dhe se kundërvënia ndaj dhunës me dhunë nuk mund të trajtojë me të vërtetë shqetësimet e ligjshme të të gjitha palëve.
Ai vuri në dukje më tej që konflikti në Gazë ka dëshmuar përsëri se çështja palestineze mbetet një problem themelor në Lindjen e Mesme, duke shtuar se bashkësia ndërkombëtare shpreson që të gjitha palët të kthehen në rrugën politike të zgjidhjes me dy shtete sa më shpejt të jetë e mundur.
Ministri i Jashtëm kinez theksoi se Forca e Përkohshme e Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL) ka mandat nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit për të kryer misione paqeruajtëse, duke shtuar që pala izraelite duhet të marrë masa konkrete për të siguruar sigurinë e personelit të UNIFIL-it.
Të dy palët shkëmbyen gjithashtu pikëpamje mbi marrëdhëniet Kinë-Izrael. Katz tha se zhvillimi i marrëdhënieve me Kinën është një politikë e vendosur në Izrael dhe u shërben interesave të përbashkët të të dy vendeve, duke shtuar se qeveria izraelite është e vendosur në qëndrimin e saj mbi çështjen e Tajvanit.
Wang tha se Kina ndjek vijimësinë dhe qëndrueshmërinë në politikën e saj ndaj Izraelit dhe është e gatshme të rinisë shkëmbimet në të gjitha aspektet sa më shpejt që të jetë e mundur kur gjendja të qetësohet, duke nxitur zhvillimin e qëndrueshëm të partneritetit të gjithanshëm inovativ ndërmjet të dy vendeve.
Ai shprehu shpresën që pala izraelite do të marrë masa efektive për të garantuar sigurinë e institucioneve dhe shtetasve kinezë në Izrael.
