Britania e Madhe pritet të mbledhë këtë javë rreth 35 vende për të diskutuar rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, e cila mbetet e bllokuar për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Kryeministri Keir Starmer bëri të ditur se takimi do të udhëhiqet nga diplomacia britanike dhe do të fokusohet në garantimin e lirisë së lundrimit dhe sigurinë e anijeve tregtare.
“Do të shqyrtojmë të gjitha opsionet për të siguruar kalimin e lirë dhe furnizimet jetike,” deklaroi Starmer.
Pas këtij takimi, Londra pritet të angazhojë edhe planifikues ushtarakë për të vlerësuar mënyrat e mbrojtjes së kësaj rruge strategjike pas përfundimit të luftimeve.
Në këtë iniciativë marrin pjesë vende si Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Holanda, të cilat kanë shprehur gatishmëri për të kontribuar në sigurinë e kalimit.
Ngushtica e Hormuzit, një nga arteriet kryesore të energjisë globale, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e naftës botërore, është bllokuar pothuajse plotësisht nga Irani, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të energjisë.
Ndërkohë, Starmer riafirmoi mbështetjen për NATO, duke e cilësuar atë si aleancën më efektive ushtarake në botë, në përgjigje të kritikave të presidentit amerikan Donald Trump.
