Kjo pengesë në rrugë është vendosur në bulevardin Video Smilevski Bato në Tetovë, në afërsi të fshatit Poroj. Edhe pse u lëshua në përdorim vetëm para tre muajsh, ai sot është në këtë gjendje.
“Bulevardi Video Smilevski Bato në Tetovë u lëshua në përdorim para tre muajsh, ndërsa asfalti në këtë bulevard veç më është dëmtuar, ndërsa në këtë bulevard njëkohësisht kanë filluar të vendosen edhe pengesa rrugore nga persona akoma të panjohur”, raporton gazetari i TV21, Senat Zylbehari.
Nga Komuna e Tetovës thonë se pengesa në rrugë do të largohet, ndërsa pranim-dorëzimi i të njëjtës akoma nuk është bërë dhe se asfalti do të rregullohet.
“Për çështjen e pengesave që janë vendosur në atë pjesë të rrugës, sigurisht nuk janë vendosur nga ana e Komunës dhe do të merren masa për largimin. Për çështjen e rrugës, ku ka pasur disa dëmtime nga të reshurat e shiut dhe për shkak se nuk është bërë pranim-dorëzimi i rrugës, edhe ajo pjesë do të rregullohet dhe rruga shumë shpejt do të rregullohet”, deklaroi Besarta Ramadani – zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
Në SPB Tetovë thonë se deri më tani nuk ka asnjë denoncim për vendosjen e pengesave rrugore në këtë pjesë. Ndërsa shumica e qytetarëve shmangin rrugën Drenovec-Xhepçisht, shkaku i numrit të madh të pengesave që janë vendosur në këtë pjesë të qytetit.
