
Nga Aleanca për Shqiptarët, krahu i Ziadin Selës, kanë reaguar pas deklaratave të sotme të kryeministrit Hristijan Mickoski në lidhje me ndërtimin e Korridorit 8. Nga ASH Sela thonë se nuk është e vërtet që pjesa e Shqipërisë do të përfundojë 25 km larg Qafë Thanës, dhe se për këtë çështje ka marrëveshje mes dy qeverive.
“Përgjigja e kryeministrit Hristian Mickoski lidhur me Korridorin 8 përmban shumë të pavërteta dhe shtrembërime. Tentimi për të akuzuar Shqipërinë se autostrada ka ngecur 25 kilometra larg kufirit është një manipulim i radhës, sepse ajo ka qenë një marrëveshje mes dy Qeverive për ndërtimin dhe bashkëfinancimin e një tuneli që edhe pikën kufitare do ta zhvendoste në një pozicion më të favorshëm që shkurton dukshëm rrugën dhe mirëmbahet më lehtë. Por edhe këtë marrëveshje Qeveria aktuale e ka shkelur dhe mundohet ta manipulojë”, thonë nga ASH-Sela.
Nga ASH-Sela kritikuan kryeministrin, në pjesën ku tha se vendet si Kërçova e Struga janë me banorë me shumicë absolute maqedonase.
“Edhe më skandaloze është pjesa e deklaratës kur kryeministri thotë se Dibra, Kërçova e Struga janë me shumicë absolute maqedonase. Kjo jo vetëm që nuk është e saktë, por shfaq nënvetëdijen e tij e cila është kontradiktore me fjalët paraprake kur zohet se është kryeministër për të gjithë qytetarët dhe bën thirje që projektit të mos i jepet karakter etnik. Tani që të gjitha faktet dolën në shesh dhe skenaret u demantuan, e ftojmë kryeministrin që t’i kthehet realitetit dhe punës për realizimin e Korridorit 8 pa vonesa e komplikime”, shtojnë nga ASH-Sela.
