Gazetar: Zekirija Haxhiu
Kreu i integristëve Ali Ahmeti përmes një letre të hapur, ka kërkuar respektimin e Marrëveshjes së Ohrit duke mundësuar barazi të plotë në përdorimin e gjuhëve pasi siç thotë, gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në vend. Kërkon nga shteti që ti trajtojnë shqiptarët ashtu siç shqiptarët gjithmonë i kanë trajtuar maqedonasit duke mos ua kontestuar as gjuhën e as identitetin. Çdo përpjekje për të dobësuar statusin e gjuhës shqipe do të thotë prekje e ekuilibrit dhe kohezionit të shtetit. Të drejtat nuk negociohen dhe nuk zhbëhen dhe çdo tentativë për të kufizuar zbatimin e gjuhës shqipe është regres i rrezikshëm, porositë Ahmeti.
“Marrëveshja e Ohrit është themel i këtij shteti dhe kush e vë në pikëpyetje atë, vë në pikëpyetje vetë të ardhmen e tij. Shqipja nuk është privilegj, por e drejtë e fituar dhe e garantuar me Kushtetutë. Çdo tentativë për ta relativizuar apo kufizuar këtë të drejtë është një përballje e drejtpërdrejtë me rendin kushtetues dhe nuk do të kalojë pa përgjigje. Gjykata Kushtetuese të heqë dorë nga të qenurit institucion parapolitik dhe instrument i agjendave destabilizuese, duke rrënuar rendin kushtetues dhe barazinë në vend”, tha Ali Ahmeti – Kryetar i BDI-së përmes rrjetit Facebook.
- Marrëveshja e Ohrit është themel i këtij shteti
- Shqipja, e drejtë e fituar dhe e garantuar me Kushtetutë
- Kushtetuesja të mos bëhet institucion parapolitik
Bilall Kasami, njëri nga drejtuesit e VLEN-t gjithashtu nuk pajtohet me qëndrimet e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese në disa raste përfshirë dhe gjuhën shqipe por siguron se asnjë e drejtë e shqiptarëve nuk do të preket. I bën thirrje Kuvendit dhe presidentes që në të ardhmen të mendojnë më tepër kur të propozojnë anëtarë të Kushtetueses.
“I njëjti ka pasur 20 vite që t’i zgjidhë këto probleme të cilat na i ka lënë në trashëgimi por ajo që mund të them se as ligji për gjuhët as gjuha shqipe e asnjë e drejtë e siguruar e shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera në Maqedoni në asnjë mënyrë nuk do të cenohet dhe për këtë garanton kjo Qeveri”, deklaroi Bilall Kasami – Bashkëkryetar i VLEN.
Kreu i Kushtetueses Darko Kostadinovski së fundmi paralajmëroi se pasi të kompletohet përbërja e Kushtetueses do të fillojë me mbajtjen e seancave për tema të ndryshme përfshirë dhe seancën përgatitore për gjuhën shqipe ku duhet të marrin pjesë ekspertë dhe përfaqësues të komisionit të Venecias./Alsat.mk.
The post Ahmeti letër për shqipen, kundërpërgjigjet Kasami appeared first on Alsat.
