Lidhja elektroenergjetike mes Maqedonisë dhe Shqipërisë merr një shans të dytë. Është vendosur gurthemeli i linjës 400 kilovolt Manastir–Elbasan. Pikërisht me këtë projekt, i nisur në vitin 2014, filloi edhe emisioni “Biznes 21” – hulumtimi se ku përfunduan 50 milionë euro për lidhjen tonë energjetike me Shqipërinë. Hulumtimi i nëntorit 2024 nga terreni zbuloi se një pjesë e projektit ishte bllokuar – linja Manastir 2–Elbasan, që duhej të ndërtohej nga kompania Energoinvest nga Sarajeva. Pas kësaj pasoi ndërprerja e kontratës dhe përzgjedhja e një realizuesi të ri.

Kryeministri Mickoski tha se ky projekt ka qenë një nga më kompleksët me të cilët janë përballur. Ai mbyll boshllëkun energjetik në Korridorin 8 dhe vendos lidhjen e fundit energjetike që mungonte me vendet fqinje – tha Mickoski

“Është blerë vetëm një pjesë e pajisjeve, pa përparim thelbësor në terren. Dhe këtu qëndron dallimi thelbësor. Ne nuk lejuam që ky projekt të mbetet edhe një mundësi e humbur”, theksoi kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

Për drejtorin e MEPSO-s, Burim Latifi, me realizimin e këtij projekti Maqedonia dhe Shqipëria fitojnë një lidhje të re, të fuqishme dhe strategjike elektroenergjetike, e cila do të forcojë sigurinë e furnizimit.

“Për 4 vite projekti nuk ishte realizuar as 4 për qind. Më pas i identifikuam pikat e dobëta, i eliminuam barrierat administrative dhe për një kohë të shkurtër e shndërruam këtë projekt nga projekt në letër në projekt në terren”, u shpreh Burim Latifi – drejtor i Përgjithshëm i MEPSO.

Ky projekt është dëshmi e qartë se bashkëpunimi rajonal funksionon, theksoi ministri shqiptar i Infrastrukturës dhe Energjisë, Karakaçi. Sipas tij, nevojitet bashkëpunim i përbashkët edhe për projekte të tjera të rëndësishme në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore për të përparuar me ritëm më të shpejtë.

“Duke e vlerësuar maksimalisht këtë projekt, kemi investuar intensivisht në pjesën e linjës që kalon nëpër Shqipëri dhe me krenari, por pa qëllim krahasimi, mund të theksoj se kemi arritur rreth 80 për qind të punimeve ndërtimore”, deklaroi Enea Karakaçi – ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë i Shqipërisë.

Linjën do ta ndërtojë një konsorcium i udhëhequr nga prodhuesi kroat i pajisjeve për transmetimin e energjisë elektrike “Dalekovod”. Është nënshkruar kontratë me MEPSO në vlerë prej 19.7 milionë euro. Afati i realizimit është deri në mesin e vitit 2028.