Trump publikon pamje nga bombardimi i një ure në Iran: SHBA-ja ende s’ka filluar mirë të shkatërrojë Iranin, regjimi duhet të veprojë shpejt

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se ushtria amerikane “ende nuk ka filluar” të shkatërrojë atë që ka mbetur prej Iranit pas një muaji bombardimesh së pareshtura shkatërruese, si dhe ka kërcënuar se do t’i godasë centralet elektrike dhe ura të tjera në paralajmërimin e tij më të fundit ndaj regjimit në Teheran.

“Ushtria jonë, më e madhja dhe më e fuqishmja kudo në botë, ende nuk ka filluar ta shkatërrojë atë që ka mbetur në Iran. Tani është radha e urave, pastaj centraleve elektrike! Udhëheqja e re e regjimit e di se çfarë i duhet të bëjë dhe duhet ta bëjë, SHPEJT!” shkroi Trump në Truth Social mbrëmjen e së enjtes.

Trump i bëri këto paralajmërime, pa shpjegime të mëtejshme, disa orë pasi Irani nisi sulme të reja me raketa dhe dronë ndaj Izraelit dhe shteteve të Gjirit, pas një paralajmërimi të mëparshëm nga Trumpi drejtuar Teheranit se duhet “të bëjë një marrëveshje para se të mos mbetet asgjë” nga vendi.

Trump vazhdoi të dërgojë mesazhe disi të përziera mbi luftën, pasi një ditë më parë tha në një fjalim televiziv se Bashkuara janë afër “përfundimit të punës” në Iran, por ka paralajmëruar njëkohësisht se ushtria amerikane do të vazhdojnë ta godasin vendin e Lindjes së Mesme “jashtëzakonisht fuqishëm” edhe për “dy deri në tre javë” të tjera.

Në atë fjalim, Trump e mbrojti luftën si të nevojshme për ta parandaluar Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore.

Sulmi mbi urën iraniane

Në një postim tjetër në Truth Social, Trump e përshëndeti sulmin amerikan mbi një urë të madhe që lidh Teheranin me Karajn në provincën Alborz, e cila është përshkruar nga mediat iraniane si ura më e lartë në Lindjen e Mesme.

“Ura më e madhe në Iran u shemb dhe nuk do të përdoret më kurrë”, shkroi Trump.

Zyrtarët iranianë thanë se tetë njerëz u vranë dhe 95 u plagosën në dy runde sulmesh mbi urën. Ky numër nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.

Irani gjithashtu raportoi se Instituti Pasteur, një qendër kërkimore mjekësore, pësoi dëme të mëdha nga një sulm. As ky lajm nuk mund të verifikohej, megjithëse Qeveria iraniane publikoi një fotografi që pretendohet se tregon dëmet.

Kryetari i fuqishëm i Parlamentit të Iranit, Mohammad Baqer Qalibaf, publikoi një mesazh sfidues në rrjetet sociale: “Iranianët nuk flasin vetëm për mbrojtjen e vendit të tyre, ne derdhim gjak për të. E kemi bërë më parë dhe jemi gati ta bëjmë përsëri…. Ejani”.

Një zëdhënës ushtarak iranian paralajmëroi për sulme “më të gjera dhe më shkatërruese” në vijim.