Pas deklaratës së fundit të kryeministrit Mickoski, me të cilën praktikisht eurointegrimet i la për disa gjenerata të ardhshme, përkatësisht derisa të përmbushen garancitë për identitetin maqedonas dhe përcaktimin e të drejtave të maqedonasve në Bullgari, u ngrit çështja për të ardhmen evropiane të shtetit. Megjithatë, ministri i transformimit digjital Stefan Andonovski në emisionin Clik Plus në TV21 u përpoq ta relativizojë këtë qëndrim të kryeministrit dhe theksoi se nuk bëhet fjalë për heqje dorë nga rruga evropiane, pasi Maqedonia i përmbush obligimet që i janë vendosur.
“Nuk do të mund të thoja se po heqim dorë nga diçka, përkundrazi, duke e ditur se sa përparim kemi bërë në kuptimin e përfundimit të detyrave të brendshme dhe reformave të brendshme si Qeveri, mund të them se i përmbushim detyrat që na janë dhënë si shtet. Njëkohësisht qëndrimi ynë është parimor dhe i përmbahemi për një kohë shumë të gjatë, do të thoja që para zgjedhjeve të vitit 2024, se çdo ndryshim dhe hap nga ana maqedonase duhet të nënkuptojë së pari një lloj garancie se procesi do të përfundojë në momentin kur do të fillojë”, tha Stefan Andonovski, ministër për Transformim Digjital.
Por, kreu i opozitës së LSDM-së, Venko Filipçe, në intervistë për MTV paralajmëroi se ngërçi në eurointegrime përbën një rrezik serioz për të ardhmen e shtetit dhe qytetarëve. Shumë të rinj do të marrin pasaporta bullgare dhe do të emigrojnë nga shteti për të përfituar nga përfitimet e Bashkimit Evropian, tha Filipçe, dhe e ftoi kryeministrin Mickoski të përgjigjet se si me procesin e eurointegrimeve rrezikohen çështjet e identitetit.
“Largimi i qëllimshëm, mosveprimi ndaj diçkaje që, përsëris, nuk paraqet asnjë rrezik, le të dalin e ta thonë, sepse ne për maqedonasit në Bullgari mund të luftojmë më shumë kur të bëhemi shtet anëtar i Bashkimit Evropian. Si mund të luftojmë nga jashtë? Ata janë më të fortë, të gjitha shtetet anëtare kanë rregullat e tyre; ne, duke u bërë shtet anëtar, do të luftojmë për çdo pakicë. Dhe ky është një moment shumë i rëndësishëm. Si edhe njëherë e pyes: me atë hap rrezikohen disa nga përcaktuesit e identitetit, le të dalë kryeministri dhe ta thotë”, u shprheh Venko Filipçe – kryetar i LSDM.
Kryeministri Hristijan Mickoski dje mbajti një takim në Qeveri i cili ishte i përkushtuar agjendës reformuese. Në njoftim është theksuar se ai ka vënë në dukje se institucionet duhet të punojnë me afate të qarta dhe progresi duhet të jetë i dukshëm dhe i matshëm. U përfundua se agjenda reformuese mbetet një proces kyç për afrimin ndaj standardeve evropiane dhe për fuqizimin e sistemit institucional në vend.
