Gazetar: Suad Bajrami
Njëri nga liderët e VLEN-it Izet Mexhiti, në një deklaratë për Alsat thekson që letra e hapur e Ali Ahmetit për çështjen e zbatimit të gjuhës shqipe është tentativë për të manipuluar opinionin dhe për të mbajtur gjallë shpresën në anëtarësi për rikthimin e tij në qeveri.
Sipas Mexhiti, po të ishte rregulluar çështja e gjuhës ashtu siç sot shprehet Ahmeti, nuk do të ishin këto probleme.
“Opinioni duhet ta dijë të vërtetën se ne nuk kemi Ligj të Gjuhës Shqipe, por kemi Ligjin e Gjuhëve ku përcaktohet me 20% se ku mundet dhe ku s’mundet. Po të ishte definuar sikur ka qenë ideja, e kanë marrë modelin e Kosovës kur kanë filluar bisedimet për ta rregulluar Ligjin e Gjuhës Shqipe, që serbishtja është gjuhë zyrtare e baravbartë me gjuhën shqipe në Kosovë, sot nuk do të kishte askush dilemë se ku përdoret e ku spërdoet gjuha shqipe. Pra burim i prodhimit të tensioneve dh eproblemeve janë paqartësitë apo zgjidhjet gjysmake të cilat i ka lënë zoti Ahmeti në qeverisjen e tij”, deklaroi Izet Mexhiti, VLEN.
Mexhiti më tej thekson që VLEN po e pret momentin politik për të avancuar statusin e gjuhës shqipe.
“Unë i siguroj qytetarët që ne po bëjmë përpjekjet maksimale. Ky ligj që është i gjuhëve, 20%-shi ne jemi garanci që i qëndrojmë mbrapa dhe asnjë fije mos t’i mungojë. Përkundrazi e presim momentin e volitshëm politik që gjuha shqipe ta merr statusin e merituar si gjuhë zyrtare, e plotë në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, theksoi – Izet Mexhiti, VLEN.
Paraprakisht, Ahmeti nëpërmjet një letre të hapur theksoi që përdorimi i shqipes nuk është privilegj, por e drejtë e fituar dhe e garantuar me Kushtetutë, kurse çdo përpjekje për ta relativizuar, reduktuar apo dobësuar statusin e gjuhës shqipe dhe të drejtën e përdorimit të saj është një përballje e drejtpërdrejtë me rendin kushtetues dhe nuk do të kalojë pa përgjigje./Alsat.mk.
The post Mexhiti i përgjigjet Ahmetit për letrën e hapur lidhur me zbatimin e gjuhës shqipe appeared first on Alsat.
