Gazetare: Melihate Rustemi
Përdorimi i inteligjencës artificiale nga nxënësit po shfaq shqetësime të mëdha në sistemin arsimor, sidomos sa i përket ndikimit në zhvillimin personal dhe kritik të nxënësve. Gilmane Osmani, profesoreshë në gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup, thotë se gjithnjë e më shpesh nxënësit po mbështeten në teknologji edhe për pyetje shumë të thjeshta, siç është prezantimi i vetvetes. Ajo shton se përdorimi i platformave të ndryshme është dera më e besuar ku nxënësit trokasin për zgjidhjen e çdo detyre apo problemi.
“Për mua është shqetësuese kur parashtroj një pyetje shumë të thjeshtë te nxënësit, ta prezentojnë vetveten apo diçka, ato automatikisht marrin telefonat dhe kërkojnë përgjigje me intelegjencën artificiale..Kësaj unë I përgjigjem me atë se si mundet telefoni t’ju njoh më mirë se ju ta njihni vetveten, si mundet mos të arrini të thoni dy fjalë për vetveten, për karakyterin tuaj. Gjithçka që parashtrohet si detyrë apo si problematikë te ato, zgjidhja e parë apo mendimi I parë që ju kujtohet është përdorimi I Chatgpt-së apo platformave tjera të cilat I përdorin për të gjetur zgjidhje të problemeve apo të pyetjeve që ju parashtrohen”, deklaroi Gilamane Osmani, profesoreshë në gjimnazin “Zef Lush Marku”.
Megjithatë, mësimdhënësja Osmani thekson se inteligjenca artificiale nuk duhet demonizuar, pasi ajo mbetet një mjet i dobishëm nëse përdoret në mënyrë të duhur. Ajo kundërshton idenë e ndalimit të plotë të përdorimit të inteligjencës artificiale në shkolla, duke theksuar se realiteti kërkon përshtatje dhe jo mohim. Mësimdhënësja Osmani apelon për edukim mbi përdorimin e drejtë të saj.
“Gjithçka që na ofrohet, na servohet, është një thikë më dy tehe, ka anën pozitive dhe anën negative..E njejta është edhe me intelegjencën artificiale por nuk duhet të jetë ajo zëvendësim për të gjitha çështjet që na paraqiten por mbështetje, të jetë si mbështetje. Gjatë trajnimeve, kam hasur në mohim të gjithë kësaj gjendje nga ana e mësimdhënësve se duhet kategorikisht të ndalohet përdorimi I intelegjencës artificiale e kështu me radhë, jo asesi. Përderisa është paraqit ato e kanë qasjen dhe e dimë se gjenratat e reja janë pak më dembel dhe mundohen që zgjidhjen ta gjejnë në mënyrën më të lehtë ne duhet t’ju tregojmë se si në mënyrë të drejtë ta përdorin atë”, tha Gilamane Osmani, profesoreshë në gjimnazin “Zef Lush Marku”.
Sipas një ankete të realizuar nga Instituti për Hulumtime Sociologjike në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, nxënësit e shkollave fillore kalojnë gjithnjë e më shumë kohë në telefonat celularë. 36 për qind e nxënësve të klasës së katërt dhe 63 për qind e nxënësve të klasës së tetë përdorin telefonin për disa orë në ditë. 24 për qind e nxënësve të klasës së tetë kalojnë pothuajse gjithë ditën në telefon. Shqetësuese mbetet përqindja e ulët për leximin e librave, 31 për qind e nxënësve më të vegjël dhe vetëm 6 për qind e atyre më të rritur lexojnë rregullisht. Studimi ka përfshirë gjithsej 1288 nxënës./Alsat.mk.
The post Përdorimi i inteligjencës artificiale nga nxënësit shqetëson sistemin arsimor në vend appeared first on Alsat.
