Kylian Mbappé nuk flet shpesh, por kur e bën, deklaratat e tij pothuajse kurrë nuk janë të zakonshme. Kështu ndodhi edhe në intervistën e gjatë që ylli i Real Madridit dha për podcastin “The Bridge” të shokut të tij të klubit dhe kombëtares, Aurélien Tchouaméni. Fenomeni francez foli lirshëm për shumë tema: nga largimi prej PSG deri tek ai i menduar nga kombëtarja, duke dhënë edhe anekdota nga stërvitjet me Messin.

“Më quanin majmun, doja të largohesha nga kombëtarja”. Zbulimi më i bujshëm i Mbappé në këtë bisedë të gjatë ishte ai që lidhet me tërheqjen e menduar nga Franca. Gjithçka nisi në “Euro 2021”: “Kur gabova penalltinë kundër Zvicrës, filluan të më quanin majmun. Për mua, të isha në kombëtare ishte maksimumi, por njerëzit të hedhin poshtë nëse nuk shënon. Kjo e ndryshoi vërtet marrëdhënien time me kombëtaren. Gjatë ditëve të para të pushimeve, isha si një zombie. Kisha rënë poshtë emocionalisht. Kur shkova në kombëtare, fitova menjëherë Botërorin, isha hero kombëtar. I thosha vetes: Ah, Franca është fantastike! Pastaj papritur të vjen një gjë e tillë në fytyrë që të hap sytë”.

Mbappé pranoi se kishte menduar seriozisht të mos vishte më fanellën e kombëtares, duke ia besuar këtë edhe presidentit të atëhershëm të federates, Noël Le Graët: “I thashë që nuk doja më të vishja fanellën e kombëtares. Luaj për njerëz që mendojnë se jam një majmun nëse nuk shënoj. Nuk mund të luaj për njerëz të tillë”.

Një mundësi që nuk u mor kurrë në konsideratë nga kreu i futbollit francez: “Dhe ti mendon se do të dalësh nga zyra dhe unë do të të them po? E ke gabim”. Një përballje vendimtare që, në fund e bëri të ndryshojë mendje, por pa e fshirë atë plagë që i ka mbetur e thellë. Fenomeni francez më pas foli për atë që ndjeu kur pa ish-shokët e tij te PSG të triumfonin në Champions League, në sezonin pas largimit të tij.

Mbappé nuk duket se ka pendesa: “Nëse do të isha larguar para fundit të sezonit dhe ata do të kishin fituar, mendoj se do të më kishte ardhur keq. U largova në fund të sezonit, kisha arritur në fund të historisë sime në Paris. Kalova 7 vite atje, në të cilat kemi arritur pothuajse çdo objektiv të mundshëm. Nuk kishte kuptim të vazhdoja. Në Champions kemi luajtur gjysmëfinale, finale, kemi arritur në çerekfinale. Kemi bërë gjithçka. Një vit më parë arritëm në gjysmëfinale kundër Dortmundit dhe humbëm. Nëse do ta luanim atë ndeshje 500 herë, do ta fitonim 499 herë”.

Më pas francezit i kërkohet se kush ishte lojtari më i fortë me të cilin ka luajtur dhe ai nuk ka asnjë dyshim: “Messi është i pabesueshëm, i çmendur. Neymar? Leo është ndryshe, bën gjithçka në mënyrë perfekte”.

Mbappé tregon një anekdotë për argjentinasin: “Po bënim ushtrime goditjeje në Paris. Ney dhe unë ishim ndër më të mirët, në majën e futbollit botëror. Shënuam 6 ose 7 gola në 10 goditje. Të gjithë erdhën të na përgëzonin: Uau Kylian, ke qenë i jashtëzakonshëm, por nuk e ke parë Leon… Ai goditi 9 herë dhe shënoi 9 gola identikë, të gjithë të realizuar në mënyrë perfekte. Unë pashë portierin sikur t’i thoja: Po nuk e kuptove që do të godiste aty? Leo është i pabesueshëm”.

The post Mbappé: Më quajtën majmun, doja të largohesha nga kombëtarja. Tripleta e PSG-së pa mua? Zero keqardhje appeared first on Telesport.