Në edicionin e 18-të të karnavaleve Ilire në fshatin Bozofcë të Tetovës, këtë vit atmosfera është më e zymtë, pasi që përkrahja institucionale është dhënë shumë pak nga ana e komunës së Tetovës. Ndërsa Ministria e Kulturës për këtë vit nuk ka dhënë asnjë mbështetje, thonë Neshat Memedi, organizator.

 “Këtë vit është edicioni i 18-të me radhë pa ndërprerje, po pavarësisht se ne kemi pasur edhe promovime të tjera në Prizren, Prishtinë edhe Kaçanik, por kryesorja është të mbajmë vazhdimësinë pasi që mjete të mjaftueshme nuk kemi pasur nga institucionet, por mos humbë vazhdimësia falë bizneseve dhe individëve që na kanë përkrahur që ky eveniment të vazhdojë edhe këtë vit”, tha Neshat Memedi

Por nxënësit që marrin pjesë thonë se është një kënaqësi e veçantë pjesëmarrja në këto karnavale.

“Jemi shumë të gëzuar që marrim pjesë. Shumë mirë, është një kënaqësi që marrim pjesë, po di vazhdoj unë, kanë qenë edhe në Tetovë, edhe në Bozofcë, dhe deri në fund të klasës së nëntë do të marrim pjesë.”

Por çfarë simbolizojnë karnavalet Ilire në fshatin Bozofcë, tregon profesori universitar Zeqir Kadriu.

 “Karnavalet e vjetra ilire simbolizojnë ditët e hareshme, ditët e paqes, ditën e ringjalljes së natyrës, ditën e hapjes së verës dhe punës. Janë lidhur me traditat e moçme që zakonisht Ilirët e vërtetë kanë manifestuar, dhe si të tilla më vjen mirë që edhe Bozofcasit i manifestojnë dhe e kanë si traditë të herë pas hershme. Në fakt, këta janë të gjithë rritës të malësisë së Sharrit dhe kohëve të fundit po ringjallen dhe i japin një peshë që ne e quajmë festë pagane”, tha Zeqir Kadriu

Viteve të tjera ky manifestim është organizuar dy ditë radhazi, edhe atë ditën e parë në fshatin Bozofcë, ndërsa dita e dytë në qytetin e Tetovës, ku kanë marrë pjesë edhe ansamblet kulturore.