Komuna e Strugës i ka cilësuar si përpjekje të dëshpëruara për zhurmë politike akuzat e fundit dhe kallëzimin penal ndaj kryetarit të komunës Mendi Qyra. Përmes një reagimi zyrtar, autoritetet lokale thonë se emërimet në Ndërmarrjen “Ujësjellës dhe Kanalizime” janë bërë në përputhje me ligjin për të shpëtuar ndërmarrjen nga kolapsi, ndërsa theksojnë se menaxhimi i ri ka dhënë rezultate të prekshme në terren.

“Emërimi i Jusufoskit u bë si një zgjidhje e brendshme dhe urgjente në një kohë kur ndërmarrja ishte në prag të kolapsit. Edhe pse mund të mos ketë certifikatë të gjuhës angleze, ai arriti atë që shumë të tjerë të ‘certifikuar’ nuk e bënë dot për vite: dyfishoi të hyrat për vetëm tre muaj”, thuhet në reagimin e Komunës së Strugës.

Nga komuna sqarojnë se akuzat janë të vjetruara, pasi ndërmarrja tashmë ka një drejtor të ri, Jovanço Meçarkoski, i cili udhëheq institucionin prej më shumë se një muaji. Sipas tyre, fokusi duhet të jetë te shërbimet ndaj qytetarëve dhe jo te procedurat burokratike që nuk përmirësojnë jetën e banorëve.

The post Kallëzimi ndaj komunës: “Akuzat të pabaza, ndërmarrja u shpëtua nga kolapsi” appeared first on Alsat.