“…e nderuar nënkryetare e komisionit, po të lutem në mënyrën shumë korrekte këtu ka rregullore si funksionon, këtu nuk mund ta bësh tënden si të vije qejfi sepse në këtë rast e drejta qëndron te unë. Duhet të mi siguroni fillimisht materialet në gjuhën shqipe e pastaj të vazhdosh me seancë. Në të kundërtën, ja le ta shohin mediumet e qytetarët edhe këto zonja të nderuara këtu si mund të flitet për barazi kur në mënyrë të hapur po bëhet dhunë psikologjike dhe nënçmim ndaj deputetëve shqiptarë”, tha Ilire Dauti, deputete e ASH-së.
Për gjuhën shqipe u bë sherr sot edhe në Kuvend. Në Komisionin për mundësi të barabarta të femrave dhe meshkujve, seanca e 13-të u ndërpre, pasi që deputetja e ASH-së opozitare Ilire Dauti tha se ndihet e diskriminuar dhe e pabarabartë pasi materialet e seancës nuk bëhen në gjuhën shqipe.
“Do të thotë kjo seancë ka filluar pa zbatimin e Kushtetutës dhe pa zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ndërkaq këtu diskutohet për strategji, e cila në qendër të vëmendjes dhe fjalët kyçe i ka diskriminimin, dhunën psikologjike, nënçmimin e kështu me radhë…”, shtoi Ilire Dauti, Deputet e ASH-së.
Përderisa deputetja Dauti flet, nënkryetarja e komisionit Vesna Gjorgjieva informohet përmes celularit!
“Vazhdojmë me seancën… Nuk keni të drejtë të fjalës nuk ju dhashë të drejtë të flisni! Ju lutem, nuk ju dhashë të drejtën e fjalës!”, tha Vesna Gjorgjieva, Nënkryetare e Komisionit.
Gjorgjieva akuzoi Dautin se me këtë sjellje po tenton të fitojë pikë politike.
“Nuk dua t’i manipuloni këta njerëz që kanë ardhur këtu në këtë diskutim publik për të arritur në përfundime, që do na ndihmonin shumë të gjithë neve dhe jo të fitojmë vetëm pikë politike…”, tha Vesna Gjorgjieva, Nënkryetare e Komisionit.
Deputetja Dauti nuk lëvizi nga foltorja duke thënë se edhe Ministri shqiptar për politikë sociale Fatmir Limani e ka firmosur këtë dokument vetëm në gjuhën maqedonase, madje fajëson edhe kryetarin e Kuvendit Afrim Gashin për mos intervenim të zbatimit të gjuhës shqipe në këtë komision. Për tu mbyll fjalosja, nënkryetarja Gjorgjieva kërkoi pauzë për të printuar materialin në gjuhën shqipe për të ju dorëzuar deputetëve shqiptarë.
