Maqedonia e Veriut do të furnizohet me gaz natyror nga SHBA-ja

Në kuadër të vizitës zyrtare të një delegacioni të lartë qeveritar në Shtetet e Bashkuara, Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, ka nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi me palën amerikane për përmirësimin e sigurisë së furnizimit me gaz natyror.

Nënshkrimi i marrëveshjes është realizuar në Washington, në kuadër të dialogut strategjik mes dy vendeve – një platformë kyçe për thellimin e partneritetit në fusha të rëndësishme si energjia, ekonomia, siguria dhe teknologjia.

Sipas njoftimit zyrtar, memorandumi parashikon diversifikimin e burimeve dhe rrugëve të furnizimit me gaz natyror, rritjen e qëndrueshmërisë së sistemit energjetik, si dhe sigurimin e energjisë së qëndrueshme, të sigurt dhe të përballueshme për vendin. Po ashtu, ai synon forcimin e lidhjeve rajonale dhe integrimin në tregjet ndërkombëtare të energjisë.

Dokumenti përfshin edhe hapa konkretë për zhvillimin e infrastrukturës energjetike dhe përmirësimin e transparencës në tregun e gazit, duke hapur mundësi për financim nga institucionet ndërkombëtare dhe agjencitë e kreditit të eksportit.

Autoritetet vlerësojnë se marrëveshja do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e sigurisë energjetike, forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe realizimin e projekteve që sjellin stabilitet dhe zhvillim afatgjatë për Maqedoninë e Veriut.