
Çmimi i lartë i naftës në Shqipëri vijon të shkaktojë dyndje të shtetasve shqiptar drejt vendeve fqinje që e kanë shumë më lirë litrin e naftës.
Vizion Plus shkruan se në doganën e Bllatës që lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut çdo ditë krijohet radhë e gjatë për shkak të numrit të lartë të automjeteve që dalin në Maqedoninë e Veriut për të mbushur makinat e tyre me naftë.
Banorët e Dibrës dhe Bulqizës i drejtohen karburanteve të Maqedonisë së Veriut sa herë kanë nevojë për të furnizuar automjetet e tyre.
Vizion Plus raporton se përveç në Bllatë, ka radhë edhe në karburantet në Dibër të Madhe, ku shihen makina me targa të Shqipërisë.
Çmimi i një litri nafte në Maqedoninë e Veriut aktualisht shitet me 98 denarë, ose rreth 150 lekë ndërsa në Shqipëri me 220 lekë, 72 lekë më shtrenjtë.
Në Malin e Zi një litër naftë aktualisht shitet me 1.55 euro ose 148 lekë. Pra edhe qytetarët e Malit të Zi e marrin 74 lekë më lirë se shtetasit e Shqipërisë.
Në Kosovë litri i naftës është 1.80 euro, ose 172 lekë, pra 48 lekë më lirë se në Shqipëri.
