Gazetar: Suad Bajrami
Juristi Ibraim Bajrami në intervistën për Alsat theksoi që nevojitet vullnet politik për t’u zgjidhur çështja e provimit të jurisprudencës, ndërsa tha që nuk qëndron arsyetimi i BDI-së se nuk e kanë realizuar gjatë kohës së tyre pasi askush nuk e ka kërkuar.
“E drejta është, askush nga ata nuk është dashur ta kërkojnë, por është dashur të parashihet dhe kjo e drejtë është lënë si e harruar. Por e drejtë si e harruar, nuk është e mohuar dhe këtu duhet vetëm një vullnet politik se pa vullnet politik nuk bëhet, por e drejta si e drejtë është absolute”, deklaroi Ibraim Bajrami, Jurist.
Sipas Bajramit, zanafilla e problemit është te mos-harmonizimi i Ligjit të Jurisprudencës me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, edhe pse një mundësi të tillë ka pasur pushteti i BDI-së në vitin 2019.
“Ligji për Jurisprudencë është miratuar pas miratimit të Ligjit për Zbatimin e Gjuhëve dhe në këtë frymë është dashur që të potencohet që në përputhje me Ligjin për Zbatimin e Gjuhëve edhe Ligji i Jurisprudencës të jetë i inkorporuar, e drejta e 20% gjegjësisht përdorimit të gjuhës shqipe gjatë dhënies së provimit të jurisprudencës”, theksoi Ibraim Bajrami, Jurist.
Kohës që i referohet Bajrami, me shtëpinë legjislative ka udhëhequr Talat Xhaferi, nënshkrimi i të cilit shihet te dekreti për shpalljen e Ligjit për Provimin e Jurisprudencës, pa u harmonizuar me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.
Bajrami theksoi çështja e gjuhës shqipe në këtë rast, nuk ka të bëjë vetëm me provimin e jurisprudencës, por edhe të noterisë, përmbaruesit dhe të gjitha provimeve të ekspertëve të ndryshme, të fushave të ndryshme të ekonomisë, agronomisë dhe të sferave të ndryshme të cilat licencat e veta i marrin në Ministrinë e Drejtësisë./Alsat.mk.
The post Bajrami: Nevojitet vullnet politik për t’u zgjidhur çështja e provimit të jurisprudencës appeared first on Alsat.
