Komuniteti Mysliman Shqiptar ka vendosur të tërhiqet për momentin nga plani për shndërrimin e një shtëpie historike në qendër kulturore islame në sheshin kryesor të fshatit Siebnen, në Zvicër, raporton SRF.
Vendimi vjen pas një peticioni me rreth 5,000 nënshkrime kundër projektit, që u shoqërua me kundërshtime nga një pjesë e banorëve lokalë. Sipas kryetarit të komunitetit, Sinan Sadriu, qëllimi është të shmanget përçarja e popullsisë dhe situata e tensionuar.
Ai theksoi gjithashtu se nuk dëshiron përballje me fyerje dhe se komuniteti tani po kërkon një lokacion tjetër për projektin.
Kundërshtimet u mbështetën edhe nga përfaqësues lokalë, të cilët argumentuan se një objekt i tillë “nuk i përshtatet qendrës së fshatit”. Raste të ngjashme kundërshtimi ndaj projekteve të xhamive janë regjistruar edhe në zona të tjera të Zvicrës.
