Gazetare: Ajnur Bafqari
Islamabadi përgatitet të presë bisedime me rrezik të lartë midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit të shtunën. Në kohën e një armëpushimi të brishtë, Pakistani po bën përgatitjet, ndërsa zyrtarët më të lartë amerikanë dhe iranianë janë duke u mbledhur atje për atë që mund të jetë takimi më i rëndësishëm diplomatik mes dy vendeve në më shumë se katër dekada. Takimi pritet të zhvillohet teksa mosmarrëveshjet mbi Ngushticën e Hormuzit dhe bombardimet e Izraelit në Liban, po zbehin shpresat se mund të arrihet ndonjë marrëveshje për t’i dhënë fund luftës përfundimisht. Kreu i komitetit parlamentar iranian për sigurinë kombëtare, Ebrahim Azizi, tha se Ngushtica e Hormuzit “nuk do të kthehet në sistemin e kontrollit para luftës”. Azizi sugjeroi se kjo rrugë ujore, jetike për furnizimet botërore me naftë, do të vazhdojë të kontrollohet nga ushtria iraniane dhe struktura të tjera të sigurisë.
“Të gjitha lëvizjet, trafiku, hyrjet dhe daljet në Ngushticën e Hormuzit janë nën kontroll të rreptë, të saktë dhe të llogaritur të forcave tona të armatosura”, deklaroi Ebrahim Azizi, Kreu i komitetit parlamentar iranian për sigurinë kombëtare.
Ndërkohë, Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, e ka kritikuar ashpër Teheranin lidhur me synimet e tij për Ngushticën e Hormuzit.
“Irani po bën punë shumë të dobët, disa do të thoshin të pandershme, lidhur me kalimin e naftës nëpër Ngushticën e Hormuzit. Kjo nuk është marrëveshja që kemi”, tha Donald Trump president i SHBA-së.
Në Truth Truth Social, Trump shkroi edhe një postim tjetër.
“Thuhet se Irani po u vendos tarifa cisternave që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit. Më mirë të mos jetë e vërtetë kjo dhe, nëse është, duhet ta ndalojnë menjëherë!”, theksoi Donald Trump president i SHBA-së.
Pyetje mbetën mbi atë se çfarë do të ndodhë me rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit, si dhe kur dhe si do të rifillojë trafiku normal përmes Ngushticës së Hormuzit./Alsat.mk.
The post Rriten mosmarrëveshjet për Ngushticën e Hormuzit gjatë bisedimeve SHBA–Iran, Tramp nuk lëshon pe appeared first on Alsat.
