
Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë ka ngritur kallëzim penal ndaj një 61-vjeçari nga fshati Studeniçan i Shkupit, i dyshuar për hyrje të paautorizuar në objekte ushtarake dhe dokumentim të brendshëm të tyre, përcjell TV21.
Sipas informacionit të Policisë, i denoncuari, i cili ka qenë i angazhuar si shofer autobusi në një kompani që kryen transport për nevojat e Ministrisë së Mbrojtjes, më 17 shkurt ka hyrë në rrethin e kazermës në Tetovë.
Gjatë qëndrimit në objekt, siç thuhet, ai ka bërë skica dhe vizatime të hapësirës ushtarake dhe mjeteve luftarake, si dhe ka realizuar tre video-incizime. Pamjet më pas i ka shpërndarë përmes një aplikacioni në telefon.
Nga SPB Tetovë bëjnë të ditur se po ndërmerren masa dhe aktivitete shtesë për zbardhjen e plotë të rastit, pas së cilës do të vijojnë procedurat përkatëse.
